Korçë/Kontrolle intensive dhe punë operacionale e pandërprerë, në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Tempulli”.
Goditet një tjetër rast i shitjes së dozave të lëndëve narkotike, afër shkollave, në ambiente që frekuentohen nga nxënësit.
Shiste doza të drogës sintetike bonsai, në lokalin e saj, vihet në pranga 57-vjeçarja.
Në banesën e kësaj shtetaseje, Policia gjeti fidanë kanabisi të kultivuar në vazo, doza kanabisi dhe mjete që shërbejnë për përpunimin e lëndëve narkotike.
Sekuestrohen dozat e lëndëve narkotike, fidanët narkotikë, 1 armë e ftohtë, 1 peshore elektronike dhe 1 grirëse për bimët narkotike.
Si rezultat i kontrolleve intensive të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetase që dyshohet se shiste lëndë narkotike në lokalin e saj, në qytetin e Korçës, organizuan punën për kapjen dhe vënien e saj përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasja E. B., 57 vjeçe, banuese në Korçë.
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në lokalin e kësaj shtetaseje, në lagjen nr. 17, Korçë, ku gjetën sasi cannabisi sintetik të llojit bonsai, të ndarë në doza dhe një shkop druri që plotësonte kushtet e armës së ftohtë. Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e saj, u gjetën dy fidanë cannabis sativa të kultivuar në vazo, disa doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis, 1 peshore elektronike dhe 1 grirëse për bimët narkotike, të cilat u sekuestruan si provë materile, së bashku me ato që u gjetën në lokal.
Nga hetimet e kryera dyshohet se kjo shtetase ushtronte veprimtarinë e kundërligjshme të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Dozat e lëndëve narkotike që prodhonte në banesë, i shiste në lokalin e saj që ndodhej në afërsi të dy shkollave 9-vjeçare, në Korçë.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.