Policia e Shtetit, mesazh sensibilizues për ndeshjen “Shqipëri-Ishujt Faroe”

Policia e Shtetit

Të nderuar tifozë dhe sportdashës që keni vendosur të ndiqni në stadium apo në mënyrë të organizuar, në lokale, ndeshjen e futbollit “Shqipëri-Ishujt Faroe”, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin tuaj për të zbatuar udhëzimet e Policisë, për orarin e hyrjes në stadium, për sendet që nuk duhet të merrni me vete kur të hyni në stadium, si dhe për kufizimet e qarkullimit të automjeteve para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes.

•Jeni të detyruar të zbatoni me rigorozitet, ligjet e shtetit shqiptar, rregullat kombëtare dhe ato ndërkombëtare për pjesëmarrjen në aktivitete sportive.

•Ndalohet futja në stadiumin “Air Albania”, e flakadanëve, lëndëve piroteknike, sendeve të forta dhe metalike, monedhave, sendeve/produkteve për përdorim kozmetik dhe banderolave me përmbajtje raciste dhe/ose diskriminuese.

•Ndalohet mbulimi i fytyrës që bën të pamundur identifikimin e tifozit/es.

•Thyerja e ulëseve apo e pajisjeve të tjera në stadium, dëmtimi i pronës private në lokale apo në ambiente të tjera ku do të ndiqet ndeshja, si dhe prishja e qetësisë publike në sheshe apo në rrugë, janë vepra penale dhe shtetasit që do t’i kryejnë këto veprime, do të përballen me sanksionet penale, konform ligjeve në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’iu ofrojnë ndihmë dhe informacion, në rast nevoje.