Poliçan, Skrapar
Si rezultat i kontrolleve, Policia evidenton dhe godet 2 raste të tjera të nxjerrjes së kundërligjshme të gurëve dekorativë, nga mali i Tomorrit.
Procedohen penalisht administratori i një subjekti për përpunimin e këtyre gurëve, si dhe një 40-vjeçar që u kap në flagrancë duke drejtuar një kamion të ngarkuar me gurë.
Sekuestrohen kamioni dhe ngarkesa e gurëve.
Si rezultat i patrullimeve në të gjithë territorin e qarkut, për të parandaluar dhe goditur krimet kundër mjedisit, si dhe paligjshmëritë e tjera, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Skrapar dhe Stacionit të Policisë Poliçan kanë konstatuar dhe goditur 2 raste të nxjerrjes së kundërligjshme të gurëve dekorativë, nga mali i Tomorrit. Konkretisht, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-N. Xh., 50 vjeç, banues në Skrapar, pasi në afërsi të subjektit për përpunimin e gurëve dekorativë që administronte ky shtetas, u gjetën gurë që dyshohet se janë nxjerrë në kundërshtim me ligjin, nga zona e mbrojtur e malit të Tomorrit;
-F. L., 40 vjeç, banues në Berat, pasi u kap në flagrancë, në vendin e quajtur “Kthesa e Prokucës”, duke drejtuar një kamion të ngarkuar me gurë dekorativë që dyshohet se janë nxjerrë në kundërshtim me ligjin, nga e njëjta zonë. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar kamioni i ngarkuar me gurë, që drejtonte 40-vjeçari.
Kontrollet kundër kësaj paligjshmërie, vijojnë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore” dhe “Shkatërrimi i pronës”.