Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Shkodër-Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli” dhe zbatimi i masave të përcaktuara për Paketën e Sigurisë në shkolla.Si rezultat i bashkëpunimit me oficerët e sigurisë në shkolla, goditen 2 raste të tentativës për t’iu shitur lëndë narkotike, nxënësve.Vihen në pranga 2 shtetas që tentuan t’iu shisnin lëndë narkotike kanabis dhe kokainë, bashkëmoshatarëve të tyre, në dy shkolla ku ata vetë ishin nxënës.Njëri prej të arrestuarve mbante edhe armë të ftohtë me vete, në shkollë.Sekuestrohen 486 gramë kanabis, dhjetëra doza kokaine dhe kanabisi, si dhe një armë e ftohtë thikë.Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme dhe me oficerët e sigurisë në shkolla, në zbatim të masave të përcaktuara për Paketën e Sigurisë në shkolla, bazuar në inteligjencën policore dhe si rezultat i kontrollit të befasishëm, goditën 2 raste të tentativës për shitjen në shkolla, të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis.Si rezultat i kontrollit të befasishëm nga shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me oficerët e sigurisë në shkolla, rezultoi se një 16-vjeçar posedonte brenda ambienteve të shkollës, një sasi dozash me lëndë narkotike kanabis dhe kokainë, si dhe një armë të ftohtë (thikë).Shërbimet e Policisë kanë kryer kontroll dhe në banesën e 17-vjeçarit (nxënës në një shkollë tjetër në Shkodër) që dyshohet se furnizonte me lëndë narkotike 16-vjeçarin.Gjatë kontrollit Policia gjeti dhe sekuestroi rreth 486 gramë kanabis në formë boçeje dhe disa doza kokaine.Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera dhe në prani të psikologut, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. H., 16 vjeç dhe G. Dh., 17 vjeç.Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara, për të identifikuar, kapur dhe arrestuar shtetasin që furnizonte 17-vjeçarin, me lëndë narkotike, për t’ia shitur bashkëmoshatarëve të tij.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksonit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Durrës/Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për zbardhjen e rasteve të vjedhjeve në banesa, të ndodhura më parë.Finalizohet operacioni policor i koduar “Topolino”.Zbardhen 3 vjedhje të tjera në banesa, sekuestrohen shuma parash, ora, laptop, celular, automjet, si dhe një sasi lënde narkotike.3 ditë më parë, Policia zbardhi 7 raste të tjera të vjedhjeve në banesa dhe sekuestroi shuma të mëdha lekësh, aksesorë dhe bizhuteri.Specialistët e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Durrës, bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit të koduar “Topolino”, në kuadër të të cilit u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit:O. S., 28 vjeç, banues në lagjen nr. 16, Durrës, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.Arrestimi i këtij shtetasi u bë pas një pune disamujore të ndjekur me metoda speciale të hetimit, nga e cila ka rezultuar se ky shtetas, në harkun kohor korrik – tetor 2023, në qytetin e Durrësit, duke përdorur pajisje profesionale për hapjen e dyerve të blinduara, në mënyrë të fshehtë, ka arritur të realizojë vjedhjen në 3 banesa, konkretisht:• Më datë 12.10.2023, në lagjen nr. 3, Durrës, ka vjedhur në një banesë, bizhuteri floriri të ndryshme me vlerë 8000 euro;• Më datë 15.09.2023, në lagjen nr. 3, Durrës, në një banesë, ka vjedhur sende me vlerë;• Më datë 22.07.2023, në lagjen nr. 4, Durrës, në një banesë, ka vjedhur 9 ora dore të markave të ndryshme dhe 1 laptop.Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një pjesë e sendeve të vjedhura, konkretisht: 1 laptop, 9 ora dore të markave të ndryshme, 3310 euro, 1 çantë marsup, 2 celuarë, 1 automjet, si dhe 1 çelës universal (topolino) që shërben për hapjen e dyerve, rrobat e përdorura nga autori gjatë kryerjes së vjedhjeve dhe nje sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa e gjetur gatë kontrollit të banesës së autorit.Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer shtetasi O. S.Materialet procesurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
DVP Tiranë-Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor i koduar “Triple”, për goditjen e kontrabandës së mallrave.Magazinonte dhe tregtonte mallra të dyshuara të kontrabanduara, fshihte të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari, si dhe kishte punësuar në mënyrë të paligjshme një shtetas, shpallet në kërkim 41-vjeçari.Procedohen penalisht 3 shtetas.Sekuestrohen veshje dhe mallra të ndryshme, të kontrabanduara.Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Triple”.Në kuadër të këtij operacioni u shpall në kërkim shtetasi A. D., 41 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë shtetasit E. M., 30 vjeç, Sh. D., 41 vjeç, dhe A. Gj., 23 vjeç, të tre banues në Tiranë.Në rrugën “5 Maji”, gjatë kontrollit në disa biznese në pronësi të shtetasit A. D., në të cilat ishin të punësuar tre shtetasit e proceduar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, mallra dhe produkte të ndryshme, pa fatura tatimore shoqëruese apo deklarata doganore për origjinën e tyre, për të cilat nuk deklaroheshin të ardhurat e përfituara prej tyre. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi E. M., ishte punësuar në një nga këto biznese, në mënyrë të paligjshme, nga 41-vjeçari i shpallur në kërkim.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Theth-Kreu punime pa leje, për përfitime nga turizmi, vihet në pranga 59-vjeçari.Shërbimet e Postës së Policisë Theth, kanë konstatuar se në një objekt ekzistues ishin kryer punime me qëllim shtimin e ambienteve për përfitime nga turizmi.Në vijim të veprimeve për këtë rast, është vënë në pranga pronari i objektit, shtetasi Gj. D., 59 vjeç, i cili dyshohet se i ka kryer punimet me qëllim krijimin e ambienteve për akomodimin e turistëve që vizitojnë zonën.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Durrës/Policia bllokon një punishte që kryente aktivitet të kundërligjshëm.Prodhonte paketa me cigare, për t’i shitur në mënyrë të kundërligjshme, Policia sekuestron makineritë, një sasi duhani dhe paketa me cigare.Kapet dhe vihet në pranga 36-vjeçari, pronari i punishtes ku prodhoheshin paketat me cigare, me duhan të kontrabanduar.Në vijim të punës hetimore dhe operacionale për konstatimin dhe goditjen e krimeve ekonomike e financiare, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë goditur një rast të veprimtarisë së kundërligjshme të prodhimit dhe tregtimit të paketave me cigare, si dhe të magazinimit të një sasie duhani të kontrabanduar, me qëllim shitjen e tij me pakicë.Në një punishte në lagjen nr. 17/1, Policia gjeti makineritë që shërbenin për prodhimin e cigareve, për t’i shitur me pakicë, si dhe 63.2 kg duhan të papërpunuar, i dyshuar i kontrabanduar, të cilin ky shtetas e përdorte për të prodhuar paketat me cigare, që i shiste në mënyrë të kundërligjshme.Shërbimet e Policisë bllokuan punishten dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, makineritë, paketat dhe sasinë e duhanit.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Port, Durrës/Finalizohet faza e 5-të e operacionit policor të koduar “Fluksi”, për parandalimin dhe goditjen e tentativave për të futur në Shqipëri, para që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale.Operacioni, rezultat i informacioneve të siguruara përmes inteligjencës policore, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.Faza e 5-të e këtij operacioni u finalizua në bashkëpunim me Policinë Kufitare të portit të Durrësit dhe me autoritetet doganore të këtij porti.Sekuestrohen 176 190 euro, 500 dollarë, 50 euro të falsifikuara, një pako me fishekë çifteje dhe një sasi mallrash.Vihen në pranga 2 shtetas (drejtuesit e autobusit ku u gjetën të fshehura shuma e parave dhe mallrat që tentuan t’i kontrabandonin në Shqipëri).Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e tentativave për të futur në mënyrë të kundërligjshme në Shqipëri, shuma parash që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari kriminale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, bazuar në inteligjencën policore, finalizuan fazën e 5-të të operacionit policor të koduar “Fluksi”.Në bashkëpunim me Policinë Kufitare të portit të Durrës dhe me autoritetet doganore të këtij porti, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Policinë e Shtetit, kaloi për kontroll të imtësishëm në vijë të dytë, autobusin që vinte me tragetin e linjës Bari-Durrës, i cili dyshohej se transportonte një shumë të madhe parash dhe mallra.Gjatë kontrollit të imtësishëm, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në brendësi të autobusit dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 176 190 euro, 500 dollarë, 50 euro të falsifikuara, një pako me fishekë cifteje dhe një sasi mallrash (qindra shishe verë, pije të tjera alkoolike dhe mallra të ndryshme).Në vijim të veprimeve, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Policinë e Shtetit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:- A. A., 34 vjeç, banues në Berat dhe A. B., 51 vjeç, banues në Elbasan, të dy drejtues të autobusit ku u gjetën të fshehura paratë dhe mallrat që do të kontrabandoheshin në Shqipëri..Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm, të cilët kanë ndimuar ose favorizuar, drejtuesit e këtij autobusi dhe të autobusëve të tjerë të kësaj shoqërie, gjatë hyrjeve ose daljeve nga PKK Port Durrës.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Trafikimi i armëve dhe municioneve”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimi doganore ose të akcizës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, të kryera në bashkëpunim.
Shijak/Vijon operacioni policor i koduar “Basti i fundit”, për konstatimin dhe goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.U kapën në flagrancë, në lokalet e tyre, në Shijak dhe në fshatin Xhavzotaj, duke vënë baste sportive, me celularë, vihen në pranga 2 shtetas.Sekuestrohen 2 celularët, me faqe bastesh aktive në ta.Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak, si rezultat i kontrolleve të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Basti i fundit”, me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të organizimit të lojërave të ndryshme të fatit, në kundërshtim me ligjin, kanë konstatuar 2 raste të tjera në këtë fushë.Për këto raste janë vënë në pranga shtetasit G. D., 49 vjeç dhe K. D., 23 vjeç të dy banues në Shijak.Këta shtetas u kapën në flagrancë, në lokalet e tyre, përkatësisht në Shijak dhe në fshatin Xhavzotaj, teksa vinin baste sportive, nëpërmjet celularëve.Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 celularët që shërbenin për vënien e basteve.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
DVP Lezhë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”. Goditen 4 raste të tjera në fushën e narkotikëve.
✅Kishte përshtatur lokalin e tij, në fshatin Gjormë, për përdorim dhe për shitje të lëndëve narkotike, arrestohet në flagrancë 29-vjeçari.
Në pranga dhe një 50-vjeçar që theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe u kap në këtë lokal, me doza kokaine, me vete.
✅Për 3 raste të tjera janë proceduar në gjendje të lirë 3 të rinj që posedonin në automjete, doza cannabisi, dyshohet me qëllim shitjen.
Sekuestrohen sasi lëndësh narkotike kokainë dhe cannabis sativa, të ndara në doza.
Si rezultat i veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Lezhë dhe Kurbin, referuar informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë konstatuar dhe goditur 4 raste të tjera në këtë fushë.
-Në Gjormë, Kurbin, nga kontrollet e kryera në lokalin e shtetasit F. Gj., shërbimet e Policisë konstatuan se ky ambient ishte përshtatur për përdorimin dhe shitjen e lëndëve narkotike. Në vijim, u kap në flagrancë në këtë lokal, me doza kokaine me vete, shtetasi G. Z., i cili nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për armëmbajtje pa leje dhe kanosje. Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, u vunë në pranga shtetasit F. Gj., 29 vjeç, banues në Kurbin dhe G. Z., 50 vjeç, banues në Lezhë, si dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, sasia e lëndës së dyshuar narkotike, kokainë.
-Për 3 raste të tjera, u referuan materialet procedurale në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit V. Z., 21 vjeç, A. D., 22 vjeç dhe A. Gj., 22 vjeç, të tre banues në Lezhë, pasi nga kontrollet në automjetet me të cilat lëviznin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndës të dyshuar narkotike cannabis sativa, të ndara në doza, të gatshme për shitje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 260 shtetas, konkretisht: 67 shtetas janë vënë në pranga, 180 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 13 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 22 raste- 12 shtetas janë vënë në pranga dhe 17 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 25 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera-1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 29 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 10 raste- 4 shtetas dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 9 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 6 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të falsifikimit të dokumenteve- me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 20 raste, 9 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 5 shtetas janë vënë në pranga, 6 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë për 7 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror”, janë evidentuar 2 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa rasti tjetër me 1 shtetas të vënë në pranga. 1 shtetas tjetër i shpallur në kërkim për këtë vepër penale, është kapur dhe ndaluar.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 31 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 2 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 27 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 15 raste, me 10 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 7 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 22 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Kallëzimi i rremë”, “Dhunimi i banesës”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Përndjekja”, “Kanosja për shkak të detyrës”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale:
-“Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-“Ngacmimi seksual”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-“Goditjet për shkak të detyrës”, me autor/ë ende të paidentifikuar;
-“Shpërdorimi i detyrës”, rast për të cilin vijojnë hetimet.
Në vijim, janë evidentuar:
-7 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-7 raste në fushën e kundërshtimit/mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-5 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 5 shtetas të vënë në pranga;
-4 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Fyerja”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 14 aksidente, si pasojë e të cilave 2 shtetas kanë humbur jetën dhe 20 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 49 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, 3 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 22 shtetas janë vënë në pranga dhe 30 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.