Shkodër – Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli” dhe zbatimi i masave të përcaktuara për Paketën e Sigurisë në shkolla

Shkodër

Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli” dhe zbatimi i masave të përcaktuara për Paketën e Sigurisë në shkolla.

Si rezultat i bashkëpunimit me oficerët e sigurisë në shkolla, goditen 2 raste të tentativës për t’iu shitur lëndë narkotike, nxënësve.

Vihen në pranga 2 shtetas që tentuan t’iu shisnin lëndë narkotike kanabis dhe kokainë, bashkëmoshatarëve të tyre, në dy shkolla ku ata vetë ishin nxënës.

Njëri prej të arrestuarve mbante edhe armë të ftohtë me vete, në shkollë.

Sekuestrohen 486 gramë kanabis, dhjetëra doza kokaine dhe kanabisi, si dhe një armë e ftohtë thikë.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme dhe me oficerët e sigurisë në shkolla, në zbatim të masave të përcaktuara për Paketën e Sigurisë në shkolla, bazuar në inteligjencën policore dhe si rezultat i kontrollit të befasishëm, goditën 2 raste të tentativës për shitjen në shkolla, të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis.

Si rezultat i kontrollit të befasishëm nga shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me oficerët e sigurisë në shkolla, rezultoi se një 16-vjeçar posedonte brenda ambienteve të shkollës, një sasi dozash me lëndë narkotike kanabis dhe kokainë, si dhe një armë të ftohtë (thikë).

Shërbimet e Policisë kanë kryer kontroll dhe në banesën e 17-vjeçarit (nxënës në një shkollë tjetër në Shkodër) që dyshohet se furnizonte me lëndë narkotike 16-vjeçarin.

Gjatë kontrollit Policia gjeti dhe sekuestroi rreth 486 gramë kanabis në formë boçeje dhe disa doza kokaine.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera dhe në prani të psikologut, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. H., 16 vjeç dhe G. Dh., 17 vjeç.

Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara, për të identifikuar, kapur dhe arrestuar shtetasin që furnizonte 17-vjeçarin, me lëndë narkotike, për t’ia shitur bashkëmoshatarëve të tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksonit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.