Vlorë
Finalizohet nga strukturat e DVP Vlorë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Fier, operacioni policor i koduar “Amid”.
Asgjësohen me anë të djegies 4930 bimë narkotike që ishin kultivuar në një parcelë me misër, në fshatin Bishan.
Zbulohet në afërsi të parcelës, një magazinë e përshatur për tharjen e bimëve narkotike.
Sekuestrohen 198 kilogramë kanabis në proces tharjeje, 2 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe një sasi fishekësh luftarak, që u gjetën gjatë kontrollit të magazinës.
Kapen dhe vihen në pranga 3 autorët e dyshuar, të cilët dyshohet se kultivonin bimët narkotike dhe përgatitnin lëndën narkotike kanabis, për shitje.
Ndiqen penalisht kryeplaku i fshatit Bishan dhe 3 punonjës policie, pasi dyshohet se shpërdoruan detyrën duke mos përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë për kontrollin e zonës.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të kultivimit të bimëve narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar, në bashkëpunim me strukturat e DVP Fier, operacionin policor të koduar “Amid”.
Gjatë operacionit, në fshatin Bishan, shërbimet e Policisë kanë konstatuar të kultivuara mes një parcele me misër, në pronësi të shtetasit D. M., 4930 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Nga kontrolli i territorit, në afërsi të kësaj parcele është zbuluar një magazinë e përshtatur për tharjen e bimëve narkotike dhe përgatitjen e lëndës narkotike, në pronësi të shtetasit S. Ll.
Në këtë magazinë janë gjetur 198 kg lëndë narkotike në proces tharjeje, 2 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe një sasi fishekësh luftarak, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit:
- S. Ll., 40 vjeç dhe D. Ll., 18 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Bishan.
- D. M., 69 vjeç, banues në fshatin Bishan.
Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit:
-B. H., 61 vjeç, me detyrë kryetar i fshatit Bishan.
Si dhe për 3 punonjës policie, të cilët edhe janë pezulluar nga detyra, konkretisht:
- Nënkomisar K. P., me detyrë shef i Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Vlorë;
- Nënkomisar F. M., me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Vlorë;
- Inspektor M. A., me detyrë ndihmësspecialist (SPZ) në Komisariatin e Policisë Vlorë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit siguron edhe një herë qytetarët se është e vendosur për të luftuar krimin, në çdo fushë, gjë që po e tregon me rezultatet e këtij operacioni, sidomos me vendosmërinë për të larguar nga radhët e saj, çdo punonjës policie që kryen veprime në shkelje të detyrës. Në këtë kuadër, fton çdo qytetar që të mos hezitojë të informojë për rastet kur punonjësit e Policisë abuzojnë me detyrën.