Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku priti në një takim Ambasadorin dhe Zv/ambasadorin e Brazilit në vendin tonë, Sh. T. Z. João Tabajara De Oliveira Júnior dhe z. Ricardo Portugal.
Diskutimet gjatë këtij takimi u fokusuan në ngritjen e urave të reja të bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Federale të Brazilit, si dhe forcimin e atyre ekzistuese, me qëllim shkëmbimin e menjëhershëm të informacioneve, për të goditur fenomenet kriminale që prekin të dyja vendet, si dhe për të lokalizuar e vënë në pranga shtetasit e shpallur në kërkim.
Me qëllim përmbushjen e plotë të misioneve të përbashkëta për garantimin e sigurisë së qytetarëve të të dy vendeve, Drejtori i Përgjithshëm, Ambasadori dhe Zv/ambasadori u dakordësuan rreth vendosjes së pikave të kontaktit mes dy agjencive ligjzbatuese, caktimit të një oficeri ndërlidhës pranë Ambasadës së Brazilit, si dhe për mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi në fushën e sigurisë.
Drejtori i Përgjithshëm siguroi përfaqësuesit e Ambasadës së Brazilit, për angazhimin maksimal të Policisë shqiptare, në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe pastrimit të parave. Gjithashtu, Drejtori theksoi se vijon të mbetet prioritet i punës së tij, bashkëpunimi i ngushtë, profesional dhe i besueshëm me partnerët ndërkombëtarë.
Ambasadori i Brazilit shprehu vlerësim për qasjen e re të Policisë së Shtetit në raport me partnerët ndërkombëtar, si dhe angazhim e mbështetje të plotë për të ofruar asistencë logjistike, profesionale dhe akademike për punonjësit e Policisë.