Raporti ditor i ngjarjeve, 23 dhjetor 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gjirokastër/Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Artikujt”, për goditjen e kontrabandës me mallra.U kap duke transportuar mallra të ndryshme të kontrabanduara, vihet në pranga drejtuesi i furgonit.Vihet në pranga edhe një doganier i Pikës Doganore Kakavije, pasi lejoi kalimin e mallrave, në mënyrë të paligjshme. Sekuestrohen mallra të ndryshme ushqimore dhe industriale, medikamente mjekësore dhe një sasi nafte.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në inteligjencën informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Artikujt”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: F. G., 50 vjeç, banues në Fier dhe Th. K., 39 vjeç, banues në Kakavije, me detyrë doganier në Pikën Doganore Kakavije.Shtetasi F. G. u arrestua pasi është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Kakavije-Gjirokastër, duke drejtuar automjetin tip furgon, brenda të cilit u gjetën dhe u sekuestruan mallra të ndryshme ushqimore dhe industriale, medikamente mjekësore dhe një sasi nafte, pa dokumentacionin përkatës.Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi F. G. i kishte kaluar këto mallra nëpërmjet Pikës Doganore Kakavije, pa kryer veprimet përkatëse.Në vijim të veprimeve u arrestua edhe shtetasi Th. K., me detyrë doganier në këtë pikë doganore, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke favorizuar shtetasin F. G., për të kaluar mallrat, pa kryer veprimet doganore.Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, mallrat e kontrabanduara, 3 350 euro dhe 3 aparate celulare.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilët akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”,  “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

DVP Elbasan/Finalizohet si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Shuma”.Dhunoi fizikisht dhe kanosi me armë zjarri, një shtetas, për dhënien e 3000 eurove, vihet në pranga 26-vjeçari.Sekuestrohet automjeti që përdorte ky shtetas dhe 2 aparate celulare.Strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Elbasan, të mbështetura nga inteligjenca informative dhe si rezultat i provave të siguruara nga një hetim i ndjekur intensivisht dhe me metoda speciale proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Shuma”.Si rezultat i këtij operacioni, u kap dhe u ndalua shtetasi N. S., 26 vjeç, banues në Prrenjas, ndaj të cilit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin e datës 22.12.2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.Nga provat e siguruara si rezultat i hetimit me metoda proaktive, ka rezultuar se shtetasi N. S. ka shtrënguar duke e dhunuar fizikisht, si dhe ka kanosur me armë zjarri, një shtetas, për dhënien e një shume parash prej 3000 eurosh.Në cilësinë e provës materiale, 26-vjeçarit iu sekuestruan automjeti që përdorte dhe 2 aparate celulare.Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Kukës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Lusen”, për parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale në familje.Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës me sende të forta, mes anëtarëve të një familjeje.Arrestohet në flagrancë 56-vjeçari që ushtroi dhunë fizike ndaj vajzës së tij.Shpallet në kërkim djali i tij i mitur, i cili ushtroi dhunë ndaj babait të tij, për të parandaluar dhunën e mëtejshme ndaj motrës.Gjatë kontrollit në banesën e kësaj familjeje, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri automatik dhe një karikator me 30 fishekë.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Zall Lusen, po ndodhte një konflikt në familjen  e shtetasit E. P., menjëherë organizuan operacionin policor të koduar “Lusen”, për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të dhunës.Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasin E. P., 56 vjeç, banues në fshatin Zall Lusen, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.Shtetasi E. P. ka ushtruar dhunë fizike dhe ka goditur me mjete të forta vajzën e tij 19 vjeçe, për motive të dobëta. Më pas, djali 17 vjeç ka ndërhyrë dhe e ka goditur me mjete të forta babanë e tij, për të parandaluar dhunën e mëtejshme ndaj motrës.Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim 17-vjeçari, për veprën penale “Dhuna në familje”.Gjatë kontrollit në këtë banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik dhe një karikator me 30 fishekë.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 80 shtetas, konkretisht: 18 shtetas janë vënë në pranga, 55 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 5 shtetas të vënë në pranga dhe me 3 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 7 raste, me 2  shtetas të vënë në pranga dhe 5 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 11 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 3 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 11 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 5 raste, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe me 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i falsifikimit të dokumenteve, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Ne fushën e veprave penale me objekt kalimin e paligjshëm të kufirit, janë evidentuar 4 raste, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 6 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon punën Policia, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 10 raste, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 2 shtetas të vënë në pranga, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Braktisja e fëmijëve të mitur”, “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Kanosja për shkak të detyrës”, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, 3 raste të veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprës penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit, vijojnë punën strukturat e Policisë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 aksidente, si pasojë e të cilave 7 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 11 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, dy prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të vënë në pranga dhe me 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.