Raporti ditor i ngjarjeve, 21 dhjetor 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

DVP Fier/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor antidrogë i koduar “Hamil”.Sekuestrohen 3 thasë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë rreth 85 kg.Vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bazuar dhe në inteligjencën informative se me një automjet po transportohej lëndë narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Hamil”.Gjatë operacionit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme, 2 shtetasit që po transportonin lëndën narkotike, me një automjet tip “Audi Q7″, pasi kanë parë që po ndiqeshin nga shërbimet e Policisë, kanë braktisur automjetin dhe janë larguar. Gjatë ndjekjes nga Policia, në fshatin Hamil, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i njërit prej tyre, shtetasit A. T., 25 vjeç, banues në Fier.Gjatë kontrollit në automjetin që drejtohej nga shtetasi N. R., u gjetën dhe u sekuestruan 3 thasë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale rreth 85 kg.Në vijim të veprimeve hetimore, u shpall në kërkim shtetasi N. R., 31 vjeç, banues në Hamil, i cili drejtonte automjetin në të cilin u gjet lënda narkotike. Punohet për kapjen e tij.Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Vlorë-Ndoti ajrin duke djegur goma automjetesh, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 24-vjeçari.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për ndotje të ajrit, për shkak të djegies së gomave të automjeteve, në lagjen “24 Maji”, pranë hidrovorit, kanë organizuar punën dhe falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar, shtetasit:-S. Z., 24 vjeç, banues në Fier.Ky shtetas dyshohet se ka djegur goma automjetesh, në lagjen “24 Maji”, dhe për pasojë është shkaktuar ndotje e mjedisit përreth. Gjithashtu, si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur gardhi rrethues i hidrovorit dhe gardhi rrethues i një objekti tjetër privat.Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Ndotja e ajrit” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Sporteli”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes së pasurisë.Vodhën gjatë këtij viti, në sportelin e Spitalit Rajonal Durrës, portofolat dhe celularët e 8 shtetasve, identifikohen, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga, 2 autorët e dyshuar.Të arrestuarit, të dënuar më parë për të njëjten veprimtari kriminale.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes së pasurisë, si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët të cilët kanë denoncuar vjedhjen e portofolave dhe sendeve të tyre personale, në ambientet e Spitalit Rajonal Durrës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Sporteli”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:- N. L., 65 vjeç, banues në Kuçovë dhe N. I., 64 vjeç, banues në Elbasan, të dy të dënuar më parë për vjedhje.Nga veprimet hetimore për këtë rast, ka rezultuar se këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë të 8 vjedhjeve të portofolave me shuma parash, dhe të celularëve të shtetasve të ndryshëm të cilët prisnin për të marrë shërbimet, në sportelin e Spitalit Rajonal Durrës, vjedhje këto të ndodhura gjatë këtij viti.Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 61 shtetas, konkretisht: 23 shtetas janë vënë në pranga, 36 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 5 shtetas të vënë në pranga dhe me 1 shtetas tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 2 raste, me 1  shtetas të vënë në pranga dhe me 1 shtetas tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Kanosja”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 4 raste, me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i falsifikimit të dokumenteve, me 3 shtetas të vënë në pranga.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 13 raste, 5 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon punën Policia, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 5 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 4 raste, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 10 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 5 shtetas të vënë në pranga dhe me 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Shpërdorimi i detyrës”, “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”, “Përndjekja”, “Fyerja” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, me 5 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 1 shtetas të vënë në pranga.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 aksidente, si pasojë e të cilave 2 shtetas kanë humbur jetën dhe 4 shtetas të tjerë janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 9 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 5 shtetas të vënë në pranga dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.