Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Interpol Tirana-I shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, kapet dhe ekstradohet nga Spanja drejt Shqipërisë, 41-vjeçari.Disa ditë më parë u ekstradua edhe vëllai i 41-vjeçarit, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar për të njëjtat vepra penale.Në vijim të bashkëpunimit me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Tirana, falë bashkëpunimit me homologët spanjollë, u ekstradua nga Spanja drejt Shqipërisë, shtetasi M. K., 41 vjeç.Ky shtetas është arrestuar nga autoritetet policore në Spanjë, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin e datës 22.09.2017, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.Shtetasi M. K., në gusht 2017, në Shijak, Durrës, në bashkëpunim me vëllanë e tij, shtetasin E. K., ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi D. Gj.Shtetasi i ekstraduar iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Tropojë-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë ndaluan shtetasin M. Ç., 63 vjeç, banues në fshatin Llugaj, si dhe shpallën në kërkim shtetasen Sh. D., 52 vjeçe, banuese në fshatin Shoshan, Tropojë, me detyrë punonjës të Degës Postare Bajram Curri, Tropojë.Për këta dy shtetas, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, e cila iu ka caktuar atyre masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë u bë ekzekutimi i masave “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, të caktuara nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetaset:Xh. V., 59 vjeçe dhe Ç. Q, 32 vjeçe, banuese në fshatin Paç, punonjëse të Degës Postare Bajram Curri, Tropojë.
Port Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Vigjilje”, si rezultat i të cilit u parandaluan dhe u goditën një sërë krimesh kufitare.Operacioni, nga shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Port Durrës, në kuadër të kontrolleve të shtuara në prag të festave të fundvitit, me qëllim parandalimin e tregtimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve dhe mallrave të tjera të kontrabanduara.U kap në flagrancë, teksa transportonte në rimorkion e automjetit që drejtonte, 31 ora të markave të shtrenjta, 6 kuti me lëndë piroteknike (780 fishekzjarre dhe kapsolla) dhe mallra të tjera të kontrabanduara, vihet në pranga 67-vjeçari.I arrestuari transportonte edhe një shtetas 37-vjeç, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme.Vihet në pranga edhe 37-vjeçari, pasi tentoi të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme dhe me dokumente të falsifikuara.Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Port Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, si rezultat i kontrolleve me shërbime të shtuara dhe me pajisje të teknologjisë bashkëkohore, në prag të festave të fundvitit, me qëllim parandalimin e tregtimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike, goditjen e krimeve të tjera kufitare dhe ofrimin e një shërbimi cilësor për qytetarët në hyrje/dalje, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Vigjilje”.Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit B. R., 67 vjeç, banues në Tiranë dhe R. M., 37 vjeç, banues në Durrës.Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Port Durrës, në automjetin që drejtonte shtetasi B. R., u gjetën 31 ora të markave të shtrenjta, 6 kuti me lëndë piroteknike (780 fishekzjarre dhe kapsolla) dhe mallra të tjera të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.Në vijim, gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë kapën shtetasin R. M., i cili transportohej nga 67-vjeçari, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik, shtetasit R. M. iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një dokument identifikimi i falsifikuar.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Lezhë/Informacion paraprak-Më datë 18.12.2022, shtetasja F. P., 65 vjeçe, banuese në Troshan, Lezhë, dyshohet se duke vjelë fruta nga pemët në oborrin e banesës së saj, ka rënë aksidentalisht nga pema, dhe për pasojë ka pësuar dëmtime fizike. 65-vjeçarja po merr asistencë mjekësore, në spitalin e Lezhës. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për vlerësim.
Gjatë 48 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 93 shtetas, konkretisht: 32 janë vënë në pranga, 54 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Vijon puna intensive me qëllim lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 3 shtetas të vënë në pranga,1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 16 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilave vijojnë punën strukturat policore, 1 rast rezulton i mbetur në tentativë, me 1 shtetas të vënë në pranga, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 4 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim, si dhe me 10 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 6 raste, nëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të vënë në pranga dhe me 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 4 raste, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe me 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 tjetër të shpallur në kërkim.
Është evidentuar 1 raste i veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 3 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 22 raste, 13 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon punën Policia, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 4 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Është evidentuar edhe 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 13 raste, 1 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijon punën Policia, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të vënë në pranga, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 9 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 5 raste, me 1 shtetas të vënë në pranga, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqsia”, “Fyerja”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Moskallëzimi i krimit”, me 4 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Kallëzimi i rremë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Ngacmimi seksual” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 6 shtetas në total, të vënë në pranga.
Gjithashtu, janë evidentuar: 3 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 4 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 8 aksidente, si pasojë e të cilëve 1 shtetas ka humbur jetën dhe 7 të tjerë janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 18 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 10 shtetas të arrestuar dhe me 9 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.