Ambasadori i Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, vizitë në Policinë e Shtetit

Ambasadori i Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, vizitë në Policinë e Shtetit.

Ambasadori Reinout Vos u prit në takim kortezie nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku.

Në fokus të takimit ishin evidentimi i bashkëpunimit shumë të mirë mes palëve dhe shprehja e gatishmërisë për ta vazhduar dhe forcuar më shumë bashkëpunimin, në të ardhmen, kryesisht në fushën e krimit të organizuar, me fokus trafikimin e lëndëve narkotike, migracionin e paligjshëm dhe luftën e përbashkët ndaj grupeve kriminale.

Drejtori i Përgjithshëm e njohu ambasadorin me prioritetet e tij për reformimin strukturor, ligjor dhe funksional të Policisë e Shtetit, si dhe me vendosmërinë e tij për t’i dhënë fund mentalitetit të pandëshkueshmërisë, duke nxjerrë nga radhët e Policisë ata punonjës të cilët me veprimet e tyre cenojnë imazhin e Policisë dhe ulin besimin e qytetarëve të Policia e Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm e siguroi ambasadorin se bashkëpunimi do të vijojë duke intensifikuar shkëmbimin e informacioneve mes palëve, kryesisht nëpërmjet oficerëve të kontaktit, shtimit të skuadrave të përbashkëta hetimore për realizimin e më shumë operacioneve në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimit kibernetik.

Ambasadori Reinout Vos e uroi Drejtorin për misionin e vështirë që ka dhe i shprehu gatishmërinë atij, për ta ndihmuar Policinë e Shtetit, me donacione të ndryshme, me pajisje për sulmin kibernetik dhe për çdo nevojë që Policia e Shtetit do ketë në fusha të tjera.

Ambasadori Vos i shprehu Drejtorit të Përgjithshëm mbështetjen e ambasadës dhe të Policisë holandeze, duke theksuar se besimi reciprok dhe bashkëpunimi me profesionalizëm mes paleve janë domosdoshmëri për të arritur rezultatet e dëshiruara në luftën ndaj gupeve kriminale që veprojnë në Shqipëri, Holandë e më gjerë.