Raporti ditor i ngjarjeve, 15 dhjetor 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Shkodër/Informacion paraprak-Më datë 14.12.2022, rreth orës 20:00, një shtetas ende i paidentifikuar, duke qarkulluar me automjet, në rrugën “Hilë Mosi”, në lagjen “Skënderbeg”, në ecje e sipër ka qëlluar një herë, me armë zjarri, në ajër.Si pasojë predha e plumbit ka rënë në dritaren e katit të tretë të banesës së shtetasit P. S., 57 vjeç. Nga rënia e predhës nuk ka mbetur i dëmtuar asnjë person.Grupi hetimor ka sekuestruar menjëherë pamjet e kamerave të rrugës, në të cilat dallohet drejtuesi i automjetit që ka qëlluar një herë me armë zjarri, në ajër.Vijojnë veprimet, nën drejtimin e Prokurorisë, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollin e zonës dhe janë ngritur pika kontrolli, në të gjitha rrugët, me qëllim bllokimin e automjetit dhe kapjen e autorit.

Gramsh-Goditi me thikë 36-vjeçarin, gjatë një konflikti të çastit, vihet në pranga autori.Më datë 15.12.2022, në Gramsh, në një lokal, gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi F. B., 28 vjeç, ka goditur me mjet prerës thikë, shtetasin A. D., 36 vjeç, banues në Gramsh, i cili është dërguar në Spitalin e Traumës, Tiranë, për ndihmë mjekësore të specializuar.Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën për kapjen e autorit. Brenda një kohe të shkurtër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Grmash kanë shoqëruar në Komisariat dhe kanë arrestuar autorin e plagosjes, shtetasin F. B., 28 vjeç, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.Nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Mat/U referuan materialet procedurale pranë Prokurorisë së Rrethit Mat, si “ngjarje aksidentale”, pasi shtetasi S.H., 18 vjeç, (nxënës shkolle), duke zbritur shkallët e shkollës është rrëzuar dhe për pasojë ka lënduar këmbën. 18-vjecari ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Korçë/Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë ndaluan shtetasin në kërkim A. Ç., 30 vjeç, banues në Korçë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Korçë e ka dënuar me 1 muaj e 15 ditë burgim, për veprën penale “Vjedhja”.  

Po nga këta specialistë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Sh., 43 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi u kap duke ndërtuar një objekt, pa lejen përkatëse, në pronën e vjehrrit të tij, në fshatin Shamoll, Korçë.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Korçë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal për shtetasin E. C., 36 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në një magazinë, në lagjen nr. 17, Korçë, të marrë në përdorim nga ky shtetas, gjetën dhe sekuestruan një sasi pijesh energjike me mbishkrime në gjuhën greke, për të cilën shtetasi E. C. nuk dispononte faturë blerjeje. 

-Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë, për shtetasin I. O., banues në Stamboll, Turqi, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, pasi në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në mjetin kamion tip “Daf” që drejtonte ky shtetas, u konstatua 1 shtetas i huaj, emigrant i paligjshëm.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 60 shtetas, konkretisht: 21 shtetas janë vënë në pranga, 35 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 5 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 4 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 7 raste, me 1 shtetas të vënë në pranga, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 9 raste, 4 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon punën Policia, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 4 shtetas të vënë në pranga dhe me 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 4 raste, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 5 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Keqtrajtimi i të miturit”, me 5 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, me 2 shtetas të vënë në pranga, 1 rast i veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 rast i veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, me 1 shtetas të ndaluar.

Janë evidentuar 2 raste të veprave penale në fushën e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë; 2 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufijve”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 aksidente, si pasojë e të cilave 3 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 3 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.