Korçë/Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë

Korçë/Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë ndaluan shtetasin në kërkim A. Ç., 30 vjeç, banues në Korçë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Korçë e ka dënuar me 1 muaj e 15 ditë burgim, për veprën penale “Vjedhja”.

Po nga këta specialistë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Sh., 43 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi u kap duke ndërtuar një objekt, pa lejen përkatëse, në pronën e vjehrrit të tij, në fshatin Shamoll, Korçë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Korçë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal për shtetasin E. C., 36 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në një magazinë, në lagjen nr. 17, Korçë, të marrë në përdorim nga ky shtetas, gjetën dhe sekuestruan një sasi pijesh energjike me mbishkrime në gjuhën greke, për të cilën shtetasi E. C. nuk dispononte faturë blerjeje.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë, për shtetasin I. O., banues në Stamboll, Turqi, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, pasi në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në mjetin kamion tip “Daf” që drejtonte ky shtetas, u konstatua 1 shtetas i huaj, emigrant i paligjshëm.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.