Pogradec/Finalizohet operacioni policor “Çërrava”

Pogradec/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Pogradec, operacioni policor “Çërrava”.

Goditet një rast i përshtatjes së lokaleve për shpërndarjen e drogave dhe për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.

Procedohen penalisht 9 shtetas, 1 prej të cilëve u arrestua në flagrancë, 1 u shpall në kërkim dhe 7 të tjerë po ndiqen në gjendje të lirë.

Sekuestrohen 180 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 1 peshore elektronike, letra bixhozi, celularë dhe një sasi parash.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, organizimit të lotarive të palejuara dhe informalitetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Çërrava”.

Në kuadër të operacionit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin E. K., 36 vjeç, banues në fshatin Leshnicë, Pogradec, dhe shpallën në kërkim shtetasin M. A., 31 vjeç, banues në fshatin Çërravë, Pogradec. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: I. H., 22 vjeç, banues në fshatin Veliternë, Maliq; K. R., 34 vjeç, banues në Podgorie, Maliq; S. K., 27 vjeç, banues në Çërravë; A.Xh, 41 vjeç, banues në Leminot, Maliq; G. Ç., 34 vjeç, banues në Sovjan, Maliq; N. S., 44 vjeç, banues në Leminot dhe I. S., 48 vjeç, banues në Pogradec.

Në bazë të informacioneve të siguruara nëpërmjet inteligjencës informative se në fshatin Çërravë, Pogradec, shtetasit E. K. dhe M. A. kishin marrë në përdorim një lokal pa dokumentacionin përkatës, të cilin e kishin vënë në dispozicion për përdorim droge dhe për organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit, shërbimet e Policisë organizuan veprimet dhe ushtruan kontroll në këtë ambient, në të cilin konstatuan shtetasin E. K. dhe 7 shtetasit e tjerë, duke luajtur lojëra fati.

Gjatë kontrollit të ushtruar në lokal, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 180 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një peshore elektronike, një sasi parash, 6 pako me letra bixhozi dhe celularë që dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit.

Vijon puna për kapjen e shtetasit M. A.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.