Përmbledhja javore, 4 – 11 dhjetor 2022

Policia e Shtetit, në një javë!

✅ Angazhim, përkushtim dhe vendosmëri në luftë ndaj krimit, për të garantuar rendin e sigurinë publike, si dhe për t’u ofruar qytetarëve, një shërbim sa më cilësor.

✅Mbarëvajtja e Samitit Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor, sfidë që u përmbush me sukses të plotë nga Policia e Shtetit. Standardet e larta të sigurisë dhe ndikimi pozitiv në interes të imazhit ndërkombëtar të vendit, na bëjnë krenarë dhe na motivojnë për të ardhmen.

✅Strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, morën masa për shoqërimin e 700 ekipeve sportive shkollore, me nxënës nga e gjithë Shqipëria, si dhe morën masa për mbarëvajtjen e aktivitetit që zhvilluan ata, në stadiumin “Air Albania”.

✅ Gjatë kësaj jave, janë finalizuar 23 operacione policore, për goditjen e veprimtarive të ndryshme kriminale dhe janë vënë në pranga 161 shtetas.

✅ Plane operacionale nga dvp-të në qarqe për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim. Si rezultat u kapën 22 shtetas të shpallur në kërkim, 2 prej tyre, të kërkuar ndërkombëtarisht.

✅ Operacioni policor “Transferta”, nga DVP Tiranë, goditi mashtrimin me vlerë rreth 5 milionë euro, të kryer nëpërmjet 15 call center-ave. Gjykata caktoi për 15 shtetas italianë dhe shqiptarë, masa sigurie “Arrest në burg”, për këtë veprimtari kriminale.

✅ Janë sekuestruar 70 kilogramë lëndë narkotike kanabis, një sasi farash dhe 90 bimë kanabisi, sasi kokaine e heroine, 1 snajper, 2 pistoleta, 1 armë gjahu, 150 steka me cigare të kontrabanduara, fenelinë, dylbi dhe sende të tjera që i shërbenin veprimtarive kriminale.

✅ Finalizimi i fazës së 10-të të operacionit “Qarku”, në Malësi të Madhe, solli shkatërrimin e një ambienti të përshtatur me llamba e pajisje të tjera elektrike, për kultivimin e bimëve narkotike. U sekuestruan 90 bimë kanabisi, si dhe nisi procedimi penal për 8 shtetas, të implikuar në këtë krim.

✅ Operacioni “Sateliti”, i finalizuar në Gjirokastër, rezultoi me sekuestrimin e 70 kilogramëve lëndë narkotike kanabis . U vunë në pranga 3 shtetas, bashkëpunëtorë në tentativën për ta trafikuar lëndën narkotike.

✅ Si rezultat i operacionit “Vrith”, në Malësi të Madhe, u kap dhe u vu në pranga 27-vjeçari i akuzuar për vrasje të dyfishtë me armë zjarri.

✅ Në kuadër të operacioneve “Poker 6” dhe “Complication”, në Malësi të Madhe dhe në Tiranë, u evidentuan dhe u goditën disa raste të përshtatjes së lokaleve për përdorim droge. U vunë në pranga 3 shtetas dhe u sekuestruan sasi kanabisi e kokaine.

✅ Në kuadër të operacioneve “Hidden” dhe “Snajper”, në Lezhë dhe në PKK Port Durrës, u vunë në pranga 3 shtetas, për posedim të kundërligjshëm të 1 snajperi, 2 pistoletave dhe 1 arme gjahu.

✅ Nga DVP Shkodër, u finalizuan operacionet “Weekend” dhe “Shop”, për të goditur shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe për zbardhjen e një rasti vjedhjeje. U vunë në pranga 3 shtetas për këto krime dhe u sekuestruan doza kanabisi e heroine, si dhe sende të vjedhura.

✅ Nga DVP Elbasan, u finalizuan operacionet “Shifra” dhe “The end”, të cilat rezultuan me vënien në pranga të 2 shtetasve për shtrëngim me qëllim dhënien e parave dhe për vjedhje në mënyrë të përsëritur.

✅ Në Gjirokastër, Sarandë, Qafë Botë dhe Korçë, u goditën një sërë rastesh të transportit të emigrantëve, kundrejt fitimit, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit. 6 shtetas u arrestuan si autorë të dyshuar të këtyre rasteve.

✅ Kontrolle masive për parandalimin dhe goditjen e organizimit të lojërave të fatit, në kundërshtim me ligjin. Gjatë kësaj jave u vunë në pranga 9 shtetas dhe u sekuestruan 1 tavolinë pokeri, 5 makineta dhe dhjetëra celularë që i shërbenin këtyre veprimtarive.

✅ Në vijim të angazhimit nga strukturat e Policisë, në bashkëpunim me agjencitë e tjera shtetërore, janë goditur 13 raste të krimeve mjedisore, 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike dhe janë trajtuar ligjërisht 43 raste të dhunës në familje.

-Nga shërbimet e Policisë Rrugore, gjatë kësaj jave janë pezulluar në total 406 leje drejtimi, nga të cilat: 370 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 25 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 11 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

•Përmes përdorimit të alkool-testuesve janë arrestuar 35 drejtues mjetesh, nga këta: 26 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 9 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

-Policia Kufitare me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.

•Janë goditur 19 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

•Gjithashtu, në të gjitha pkk-të e vendit, janë goditur: 1 rast i “Trafikimi i narkotikëve”, 1 rast i “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe 4 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”.

Angazhim maksimal nga shërbimet e Policisë, për të parandaluar dhe për të goditur fenomenet kriminale, si dhe bashkëpunim intensiv, krah për krah, të besueshëm dhe profesionalë, me partnerët, për goditjen e krimeve ndërkufitare dhe për finalizimin e operacioneve ndërkombëtare.

Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të paligjshmërisë, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.

https://youtu.be/U_CtC8O1PzA