DVP Korçë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Perimetri 202”

Transportonte kundrejt fitimit, 5 emigrantë për kalim të paligjshëm të kufirit, arrestohet në flagrancë 39-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Gj. L., 39 vjeç, banues në Korçë.

Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore e kanë kapur këtë shtetas në Pogradec, duke transportuar kundrejt fitimit, në drejtim të Tiranës, me automjetin tip “Benz”, 5 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm drejt shteteve të BE-së.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë bënë ndalimin e shtetasit në kërkim V. K., 21 vjeç, banues në fshatin Babrru, Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendimin e datës 26.05.2021, e ka dënuar këtë shtetas me 2 muaj burgim, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Po këta specialistë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. L., 33 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të tij, i cili ndodhet në spitalin e Korçës, duke marrë ndihmën mjekësore. Në vijim, ndaj babait të 33-vjeçarit, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec e Korçë, për veprime të mëtejshme.