Kukës/Goditet një rast i organizimit të lotarive të palejuara.
Arrestohet në flagrancë 31-vjeçari që ushtronte këtë veprimtari të paligjshme, në lokalin e tij, të cilin nuk e kishte regjistruar në organet tatimore.
Sekuestrohet 1 aparat celular.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, kanë evidentuar një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie, në një lokal në qytetin e Kukësit.
Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë shtetasi L. N., 31 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”, pasi ushtronte veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit, në lokalin e tij, me anë të aparateve celulare.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të dokumentacionit të lokalit, rezultoi se ky shtetas nuk e kishte regjistruar këtë subjekt në organet tatimore, për rrjedhojë fshihte të ardhurat e përfituara nga veprimtaria që ushtronte.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.