Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit, 27 – 29 nëntor 2022
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Kurbin/Qëlloi me armë zjarri, gjatë një konflikti, arrestohet 53-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të veprimeve për konfliktin e ndodhur pasditen e djeshme, në zyrën e degës lokale të një subjekti politik, ku njëri prej anëtarëve ka qëlluar me armë zjarri, kanë vijuar kontrollet për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim V. R. Si rezultat i kontrolleve, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit V. R., 53 vjeç, banues në Kurbin, punonjës i SHPSF-së. Ky shtetas, gjatë takimit për zgjedhjet primare, të zhvilluar nga dega lokale e një subjekti politik, në Kurbin, pas një debati, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të derës dhe më pas është larguar. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip pistoletë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 134 shtetas, konkretisht: 2 janë shpallur në kërkim, 34 janë arrestuar në flagrancë dhe 98 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 12 raste, me 2 autorë të arrestuar dhe 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 15 raste, me 1 autor të arrestuar dhe 15 autorë të dyshuar që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë ndërtuar 6 raste, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 12 raste, prej tyre 4 raste janë me autorë ende të paidentifikuar dhe 8 raste me 7 autorë të vënë në pranga dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë evidentuar edhe 2 raste të vjedhjes më dhunë, me 3 autorë të ndaluar.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 5 raste, me 2 autorë të arrestuar dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e lotarive të palejuara janë evidentuar 5 raste, me 3 autorë të arrestuar, 8 autorë të proceduar dhe 1 të shpallur në kërkim.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 10 raste, me 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 19 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe 2 të tjerë, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe 1 për veprën penale “Vetëgjyqësia”.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Mashtrimi”, me 2 autorë të proceduar penalisht.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas për veprën penale ‘Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe 9 të tjerë për “Organizimi dhe pjesëmarrja në manifestime të paligjshme”.
Janë proceduar penalisht 8 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 12 aksidente, si pasojë e të cilëve janë dëmtuar 12 shtetas dhe kanë humbur jetën 3 të tjerë.
Për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor janë arrestuar 13 shtetas dhe janë proceduar penalisht 8 të tjerë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.