Kurbin/Qëlloi me armë zjarri, gjatë një konflikti, arrestohet 53-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të veprimeve për konfliktin e ndodhur pasditen e djeshme, në zyrën e degës lokale të një subjekti politik, ku njëri prej anëtarëve ka qëlluar me armë zjarri, kanë vijuar kontrollet për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim V. R.
Si rezultat i kontrolleve, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit V. R., 53 vjeç, banues në Kurbin, punonjës i SHPSF-së.
Ky shtetas, gjatë takimit për zgjedhjet primare, të zhvilluar nga dega lokale e një subjekti politik, në Kurbin, pas një debati, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të derës dhe më pas është larguar.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip pistoletë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.