Drejtori i Përgjithshëm u prit në takim nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë greke, Gjeneral Leitnant Konstantinos Skoumas.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë greke falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë shqiptare Muhamet Rrumbullaku, për bashkëpunimin e suksesshëm mes 2 forcave policore, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe atij ndërkufitar.
Gjatë takimit, krerët e policive të 2 vendeve shprehën vullnet për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, për çështjet e sigurisë, operacione të përbashkëta, shkëmbimin e informacionit, parandalimin e emigracionit të paligjshëm, si dhe për zgjerimin e bashkëpunimin në kundër të luftës kundër kontrabandës, trafikimit të narkotikëve e trafiqeve të tjera të paligjshme që mund të zhvillohen nëpërmjet kufirit të gjelbër, mes 2 vendeve.
Gjithashtu, u dakordësua zhvillimi i vizitave të ndërsjella, për shkëmbim të përvojave dhe eksperiencave, si dhe mundësia e trajnimeve në fushat e sigurisë rrugore, sigurisë kufitare dhe policimit në komunitet.
Në fund të takimit, Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë shqiptare dhe asaj greke, theksuan nevojën e konstituimit të grupeve të përbashkëta hetimore, për hetimin dhe goditjen e grupeve kriminale që tentojnë të ushtrojnë veprimtari kriminale, në Shqipëri dhe në Greqi, me qëllim parësor, rritjen e sigurisë publike, për qytetarët e të dy vendeve dhe me gjerë.
Më pas, 2 Drejtorët e Përgjithshëm kanë zhvilluar një takim më të gjerë pune, në të cilin morën pjesë Kreu i Degës së të Huajve dhe Mbrojtjes së Kufijve të Shtabit të Policisë Greke, Gjeneral Major Dimitrios Mallios, Drejtori i Divizionit të Menaxhimit dhe Analizës së Inteligjencës, Gjeneral Major Nikolaos Tsetsikas, Drejtori i Divizionit të Bashkëpunimit Policor Ndërkombëtar, Kolonel Ioannis Stavrakakis, Drejtori i Drejtorisë për Luftën kundër Krimeve të Veçanta të Dhunës, Eleftherios Chardalias, Drejtori i Kabinetit Lazaros Giannakis dhe Oficeri Ndërlidhës Policor i Ambasadës së Greqisë në Tiranë, Georgios Xanthis. Nga Policia shqiptare, morën pjesë Drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Drejtues i Lartë Pëllumb Seferi, Drejtori i Departamentit të Kufirit dhe Emigracionit, Drejtues i Lartë Saimir Boshnjaku dhe Oficerja Ndërlidhëse Policore e Ambasadës së Shqipërisë në Athinë, kryekomisare Eva Kollobani.