Port Durrës/Finalizohet faza e dytë e operacionit policor të koduar “Eurot”.
Operacioni, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe autoritetet doganore në portin e Durrësit.
Sekuestrohen 24 980 euro të padeklaruara.
Vihet në pranga drejtuesi i furgonit në të cilin u gjet e fshehur shuma e eurove.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Eurot”, bazuar në inteligjencën informative, është finalizuar faza e dytë e operacionit policor të koduar “Eurot”, në kuadër të të cilit është ndaluar një furgon që vinte nga Italia, me drejtues shtetasin A. Sh., 32 vjeç.
Gjatë kontrollit të specializuar, nga Task Forca permanente që përbehet nga Policia Kriminale e DVP Durrës, Policia Kufitare e portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të portit, në furgon u gjetën 24 980 euro të padeklaruara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve është bërë arrestimi i shtetasit A. Sh., 32 vjeç, banues në Tiranë, drejtues i furgonit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për identifikimn dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.