Korçë/Finalizohet operacioni policor “Midnight”, 3 shtetas në pranga.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në DVP Korçë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
U kap duke transportuar me furgon, 13 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga.
Vihen në pranga edhe 2 bashkëpunëtorët e tij, që kontrollonin rrugën me një automjet tjetër, për prezencën e Policisë.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, nën drejtimin e Prokurorisë së rrethit Korçë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Midnight”. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A. B., 44 vjeç; R. H., 22 vjeç dhe O. B., 28 vjeç, banues në Durrës.
Shërbimet e Policisë, falë organizimit të veprimeve, në bazë edhe të inteligjencës informative, gjatë operacionit, bënë të mundur kapjen e shtetasit A. B., në aksin rrugor Korçë-Pogradec, duke transportuar me mjetin furgon tip “Benz”, 13 emigrantë të paligjshëm, të cilëve, kundrejt pagesës, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Nga hetimet e kryera, rezulton se të implikuar në këtë veprimtari kriminale janë edhe dy shtetasit e tjerë, R. H. dhe O. B., të cilët me një automjet tip “Benz”, me drejtues 22-vjeçarin dhe pasagjer 28-vjeçarin, monitoronin rrugën, për të sinjalizuar 44-vjeçarin, në rast se kishte prezencë të shërbimeve të Policisë në rrugë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.