DVP Elbasan / Tregtoi në mënyrë të kundërligjshme materiale fasonerie të firmës ku ishte administrator, duke shkaktuar dëm ekonomik me vlerë 24 000 euro, kapet dhe vihet në pranga 36-vjeçari.
Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, si dhe në administrim e trajtim të kallëzimit të një shtetaseje (administratore e të njëjtit subjekt tregtar), specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Elbasan, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ndaluan shtetasin:
-F. T., 36 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, pasi nga veprimet hetimore të realizuara në administrim të kallëzimit të administratores tjetër të së njëjtës firmë, ka rezultuar se 36-vjeçari ka shitur në mënyrë të kundërligjshme, materiale fasonerie me vlerë 24 000 euro, në pronësi të aktivitetit tregtar që administrohej nga ky shtetas. Mallrat e shitur në mënyrë të kundërligjshme ishin nën regjim të përkohshëm nga autoritetet doganore shqiptare dhe të destinuara për t’u shitur në tregun italian.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.