Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, paraditen e sotme, priti në takim, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, një delegacion përfaqësuesish të Zyrës Federale të Policisë Kriminale të Gjermanisë (BKA).
Gjatë këtij takimi, u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer, i deritanishëm, ndërmjet Policisë së Shtetit dhe BKA-së, për aspekte teknike të detyrave funksionale të të dy policive, që synojnë të parandalojnë dhe të luftojnë krimin në përgjithësi, si dhe krimin e organizuar në veçanti.
Drejtori i Përgjithshëm falënderoi përfaqësuesit e BKA-së për vizitën dhe për mbajtjen e vazhdueshme të urave të bashkëpunimit, me Policinë shqiptare, me qëllim përmbushjen me sukses të prioriteteve të përbashkëta që kanë të dyja policitë, në luftën kundër krimit të organizuar, krimit kibernetik, emigracionit të paligjshëm dhe krimeve të tjera ndërkombëtare. Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm evidentoi dhe suksesin e arrirë, përmes bashkëpunimit policor, në kuadër të Njësisë “Antiskifter”.
Ndërkaq, përfaqësuesit e BKA-së përshëndetën procesin reformues, të nisur në Policinë e Shtetit dhe vlerësuan bashkëpunimin konstant të Policisë shqiptare, me partnerët, për të bashkërenduar kapacitetet njerëzore dhe ato logjistike, në luftën kundër krimeve në përgjithësi dhe krimit të organizuar e atij kibernetik në veçanti.
Në përfundim të takimit, Drejtori i Përgjithshëm dhe përfaqësuesit e BKA-së u dakordësuan për thellimin e mëtejshëm dhe konkretizimin e bashkëpunimit ndërmjet 2 policive, si rruga e vetme efektive për t’u përballur me fenomenet kriminale që cënojnë sigurinë publike të të dy shteteve.