Manzë
Qarkullonte me armë zjarri me vete, kapet dhe vihet në pranga një shtetas me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit.
Finalizohet nga shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, operacioni policor i koduar “Delikti”.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Shërbimet e Policisë, në vijim të punës për mbajtjen nën kontroll të personave me precedentë kriminalë, bazuar dhe në inteligjencën informative se një shtetas me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit, po qarkullonte me armë zjarri me vete, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Delikti”, si rezultat i të cilit u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi:
-Xh. S., 19 vjeç, banues në Sukth, Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik ndaj 19-vjeçarit, i kanë gjetur në çantën e supit, 1 armë zjarri pistoletë me mulli dhe municion luftarak, që iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Ky shtetas, në vitin 2020, ka plagosur rëndë, një bashkëmoshatar të tij. 19-vjeçari, për këtë vepër penale ishte dënuar, dhe kishte 3 javë që kishte përfunduar dënimin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.