Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, ndaluan shtetasin në kërkim S. Ll., 38 vjeç, banues në Elbasan, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka urdhëruar ndalimin e këtij shtetasi, për veprën penale “Përndjekja”.
Veprimet e mëtejshme procedurale do të kryen nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. M., 65 vjeç, banues në fshatin Gurras, Pogradec, për veprën penale “Vetëgjyqësia”, pasi dyshohet se me vetëgjyqësi, ka tentuar të hyjë me forcë në banesën e shtetasit Ç. J., 71 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, me pretendimin se është pronë e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin A. Ç., 40 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.
Mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 13, Korçë, ky shtetas, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, dyshohet se i ka vjedhur me dhunë një 39-vjeçari, një laptop, një celular dhe një shumë parash. Nga ana e Policisë po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasit A. Ç. dhe të bashkëpunëtorit të tij.
Më datë 21.11.2022, në fshatin Kuç i Zi, Korçë, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit A. D., 43 vjeç, e cila për pasojë është djegur plotësisht. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se zjarri është shkaktuar aksidentalisht, nga një shkëndijë elektrike.
Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec dhe Korçë, për veprime të mëtejshme.