Grabom, Shkodër/Goditet një rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, drejt Malit të Zi.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Grabom”.
Operacioni, nga shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Grabom dhe me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.
Sekuestrohen 3 çanta të mbushura me pako me lëndë narkotike cannabis sativa.
Vihen në pranga 3 shtetasit që tentuan ta trafikonin lëndën narkotike drejt Malit të Zi.
Shërbimet operacionale të DVKM Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e PKK Grabom, në vijim të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në inteligjencën informative se disa shtetas po transportonin me automjet, një sasi lënde narkotike, në drejtim të PKK Grabom, me qëllim trafikimin e saj, nëpërmjet kufirit jeshil, në drejtim të Malit të zi, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Grabom”.
Në kuadër të këtij operacioni, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Gabomit”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin e dyshuar. Drejtuesi i automjetit ka tentuar të largohet dhe ka hedhur çantat me lëndë narkotike, në rrugë, por është neutralizuar nga shërbimet e Policisë.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
R. M., 24 vjeç (drejtuesi i automjetit), R. M., 28 vjeç dhe O. S., 21 vjeç, të tre banues në Bajzë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 21.5 kg kanabis, automjeti me të cilin po transportohej lënda narkotike dhe 3 aparate celulare.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.