Durrës – Finalizohet operacioni policor i koduar “Lokacioni”

Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës dhe Komisariati i Policisë Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, Tiranë.

Shpërndante lëndë narkotike dhe kryente vjedhje banesash, në Durrës dhe në Kombinat, Tiranë , lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga 59-vjeçari, nga Durrësi.

Policia gjen dhe sekuestron dhjetëra doza kanabisi, një peshore elektronike, një mjet prerës (thikë), një kapuç/maskë dhe një shkop metalik, si ai i Policisë.

Si rezultat i shkëmbimit të informacionit ndërmjet strukturave policore të Komisariatit të Policisë Nr. 6, Tiranë dhe atyre të DVP Durrës, koordinimit të veprimeve dhe ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Lokacioni”, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit I. C., 59 vjeç, banues në Durrës.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 59-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një mjet prerës (thikë), një kapuç/maskë dhe një shkop metalik, si ai i Policisë, që dyshohet se ishin siguruar nga shtetasi I. C., me qëllim kryerjen e vjedhjeve të ndryshme. Gjithashtu, si rezultat i kontrolleve, u gjet dhe u sekuestrua edhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në doza, gati për shitje, si dhe një peshore elektronike.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas kryente vjedhje në banesa të ndryshme dhe shpërndante lëndë narkotike në Kombinat, Tiranë dhe në Durrës.

Në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, Tiranë, strukturat hetimore të DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të 59-vjeçarit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

angazhimpërkushtimsakrificë👮️🚔

tëvendosurkundërkrimit✅

nëçdoskajtëvendit🇦🇱

nëshërbimtëqytetarëve👮️🤝🙍️