DVP Dibër- U konfliktua fizikisht me një 21-vjeçar (nxënës në vit të tretë), arrestohet në flagrancë roja i shkollës

Arrestohet në flagrancë edhe vëllai i 21-vjeçarit, pasi u përfshi në konflikt dhe goditi rojën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër arrestuan në flagrancë shtetasin K. E., 45 vjeç, rojë i një shkolle të mesme, pasi është konfliktuar fizikisht me shtetasin M. T., 21 vjeç, nxënës i shkollës së mesme.

Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. T., 27 vjeç, banues në Dibër (vëllai i 21-vjeçarit), pasi është përfshirë në konflikt dhe ka goditur rojen.

Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin S. E. (vëllai i rojës së shkollës), pasi ka tentuar të futet me forcë në ambientet e Komisariatit të Policisë Dibër, ku ishte shoqëruar vëllai i tij, pas konfliktit.

Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë u arrestua shtetasi E. M., 59 vjeç, banues në Bulqizë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj nuses së djalit të tij.

Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori, për ngjarje aksidentale, pasi shtetasi H. Sh., me detyrë elektricist në një subjekt minerar, është rrëzuar aksidentalisht gjatë punës dhe për pasojë ka marrë dëmtime të lehta trupore. Aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.