Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, arrestuan përkohësisht me qëllim ekstradimi shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar O. L., 28 vjeç, banues në Memaliaj.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Torinos, Itali, me vendimin e datës 17.11.2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga legjislacioni penal i Italisë.
Ky shtetas dyshohet se nga viti 2017 deri në vitin 2019, duke qenë pjesë e një organizate kriminale me qëllim trafikimin e narkotikëve (Hollandë, Gjermani, Spanjë dhe Itali) ka trafikuar sasi të konsiderueshme kokaine dhe marijuane që vinte në portet e ndryshme të Evropës.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.