Tiranë/Goditet një rast tjetër i tregtimit të aparateve celulare të kontrabanduara.
Finalizohet, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Phones 4”.
Sekuestrohen 26 aparate celulare, nga një subjekt në kryeqytet, vihet në pranga pronari i tij.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të kontrolleve të dedikuara, në subjekte të ndryshme tregtare, me qëllim evidentimin dhe goditjen e krimeve ekonomiko-financiare, në kuadër të operacionit policor të koduar “Phones 4”, kanë goditur një rast tjetër të tregtimit të mallrave të kontrabanduara. Si autor i dyshuar i kësaj veprimtarie të kundërligjshme, u arrestua shtetasi:
– E. G., 45 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në dyqanin në pronësi të 45-vjeçarit, në rrugën “Luigj Gurakuqi”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 26 aparate celulare të llojeve të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.