Raporti ditor, 20 tetor 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Lushnjë / Sekuestrohet apartamenti me vlerë 270 000 euro, i dyshuar i përfituar nga veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, të kryera nga një 32-vjeçar.Nga specialistët e seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, i datës 03.10.2022, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurisë së shtetasit M. K., 32 vjeç, banues në Lushnjë, i dënuar më parë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Nga veprimet hetimore rezulton se pasuria e 32-vjeçarit ka si burim veprimtari kriminale.Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë sekuestrimi i një pasurie të paluajtshme (apartament në Tiranë), me vlerë 270 000 euro.Vijojnë hetimet dhe verifikimet për evidentimin e pasurive të tjera që mund të jenë në emër të këtij shtetasi dhe të personave të lidhur me të.

Kukës-Plagosi aksidentalisht me mjet prerës (thikë), një 19-vjeçar, gjatë konfliktit me një shtetas tjetër, arrestohet në flagrancë 52-vjeçari.Procedohet penalisht edhe shtetasi tjetër që u përfshi në konflikt me të arrestuarin dhe nuk kallëzoi ngjarjen.Menjëherë pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Kukësit ishte dërguar për të marrë ndihmë mjekësore, shtetasi J. V., 19 vjeç, banues në fshatin Shtanë, i plagosur me mjet prerës thikë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, kanë nisur veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të plagosjes.Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi J. V. është plagosur aksidentalisht me mjet prerës (thikë), në këmbë, nga shtetasi I. D., gjatë ndërhyrjes për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit të shtetasit I. D. me shtetasin A. P., në fshatin Shtanë.Në përfundim të veprimeve hetimore për këtë rast u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasi I. D., 52 vjeç, banues në fshatin Shtanë, me precedent të mëparshëm penal.Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. P., 40 vjeç, banues në fshatin Shtanë, për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Moskallëzimi i krimit”.Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua mjeti prerës (thikë) me të cilin dyshohet se është plagosur 19-vjeçari.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë-Finalizohet, brenda 24 orëve, operacioni i dytë për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik.Operacioni policor i koduar “Last call 2” u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë.Vihen në pranga admininstratori i një tjetër subjekti call center dhe një punonjëse (operatore), të cilët mashtronin shtetas të huaj, nëpërmjet telefonit, për të investuar në bursa fiktive.Shpallet në kërkim pronari i subjektit të paregjistruar në organet tatimore.     Sekuestrohen 9 njësi kompjuterike, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Last call 2”.Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:- S. N., 24 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti call center;- R. S., 25 vjeçe, banuese në Tiranë, e punësuar si operatore në këtë subjekt.Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim pronari i këtij subjekti, shtetasi B. H., 36 vjeç, banues në Tiranë.Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi S. N. administronte një subjekt privat call center, me pronar shtetasin B. H., në zonën e Pazarit të Ri. Në këtë subjekt të paregjistruar në organet kompetente ishte e punësuar si operatore shtetasja R. S., e cila, së bashku me administratorin, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 njësi kompjuterike, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe kapjen e shtetasit B. H.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 119 shtetas, konkretisht: 28 janë ndaluar, 22 janë arrestuar, 63 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste, me 2 shtetas të arrestuar dhe 11 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijojnë punën strukturat policore, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga strukturat policore, si dhe 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 4 raste, me 2 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 12 raste, me 2 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 10 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të veprave penale në fushën e falsifikimit të dokumenteve, me 22 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të arrestuar dhe me 2 të tjerë të shpallur në kërkim.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 11 raste, 3 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilave vijon punën Policia, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 3 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijojnë punën strukturat policore, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 8 raste, me 2 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe me 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”, “Moskallëzimi i krimit”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Përndjekja”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe “Dhunimi i banesës”, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe nga 1 rast i veprave penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes osë dhunës për dhënien e pasurisë”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; “Dhunimi i varreve”, me 1 shtetas të ndaluar dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”, me 1 shtetas të ndaluar.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 9 aksidente, si pasojë e të cilëve 9 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 18 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 10 shtetas të arrestuar, si dhe me 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu është evidentuar 1 rast i veprës penale “Largimi nga vendi i aksidentit”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.