Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, mbrëmjen e djeshme, pasi kanë marrë njoftim se në fshatin Radostinë Fasko, konflikti midis shtetasit M. B. dhe bashkëshortes së tij kishte agravuar, menjëherë kanë organizuar punën dhe falë ndërhyrjes së menjëhershme, kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit që mund të kishte pasoja të rënda për jetën e bashkëshortes së shtetasit të arrestuar.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, profesionale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier bënë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit M. B., 54 vjeç, banues në Radostinë Fasko, Fier. 54-vjeçari u kap me mjet prerës (thikë) në dorë, duke kanosur për jetën, bashkëshorten e tij.
—–
Në vijim të punës hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin G. C., 68 vjeç, pasi ka ndezur zjarr për djegien e barërave në tokën e tij, në fshatin Peshtan dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur sipërfaqe të tjera toke me ullinj, në pronësi të disa shtetasve të tjerë.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, sepse do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin, reagim të shpejtë dhe të paanshëm nga strukturat policore.
—-
Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen G. Z., 28 vjeçe, banuese në Ngjeqar, Roskovec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj vjehrrës së saj.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasit:
-D. Z., 29 vjeç, banues në Krutje, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi;
-E. N., 28 vjeç, banues në Lushnjë dhe F. K., 37 vjeç, banues në Fier, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetet e tyre përkatëse, në gjendje të dehur.
Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin H. S., 22 vjeç, banues në Fier, pasi në aksin rrugor “Fier-Seman”, duke drejtuar automjetin tip “Ford” është përplasur me një automjet tjetër, tip “Suzuki”, me drejtuese shtetasen R. M., 41 vjeçe. Si pasojë e përplasjes është dëmtuar shtetasi H. S., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve dhe pasagjerët në automjetin tip “Suzuki”, të cilët pasi morën mjekim në spital, u larguan për në banesa.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.