Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 8 shtator 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Himarë/Informacion paraprak-Në rrugën rurale të fshatit Tërbaç, gjatë natës, shtetasi L. H., 40 vjeç, dyshohet se duke drejtuar një motomjet ka humbur kontrollin dhe motomjeti ka dalë nga rruga. Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën drejtuesi i motomjetit.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

DVP Elbasan-Kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas të shpallur në kërkim.Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës Operacionale në DVP Elbasan, kapën dhe ndaluan shtetasin K. K., 36 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi më datë 03.09.2022, në lagjen “Aqif Pasha”, Elbasan, dyshohet se i ka vjedhur me dhunë portofolin një shtetaseje 47 vjeçe, banuese në Elbasan.Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd kapën dhe ndaluan shtetasin E. K., 25 vjeç, banues në fshatin Ballgjin, Librazhd, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi dyshohet të jetë autor i kultivimit të bimëve të dyshuara narkotike cannabis sativa, që janë gjetur nga Policia, në vendin e quajtur “Stanet e Berberit”, në fshatin Ballgjin.Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Elbasan/Informacion paraprak-Në lagjen “Dyle Haxhiri”, Elbasan, shtetasi E. K., 55 vjeç, banues në Elbasan, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. K., 50 vjeçe, si dhe fqinjin e tyre, shtetasin E. S., 64 vjeç, banues në Elbasan, i cili ka ndërhyrë për të ndaluar shtetasin E. K.Të dy të plagosurit janë transportuar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.Falë reagimit të menjëhershëm nga ana e Policisë është bërë e mundur kapja dhe shoqërimi i autorit të dyshuar, shtetasit E. K., në ambientet e Policisë, për veprime të mëtejshme procedurale.Grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

DVP Gjirokastër-Vijon operacioni “Road Guard”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet MENA, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Road Guard 38”.Organizonte veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, vihet në pranga 47-vjeçari.Sekuestrohen 1 automjet, 5 aparate celulare dhe një sasi parash.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i pune policore dhe hetimore të pandërprerë disamujore, nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Road Guard 38”, si rezultat i të cilit u ndalua shtetasi N. M., 47 vjeç, banues në fshatin Dervician, Gjirokastër.Ndalimi i shtetasit të mësipërm u bë pasi nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se ky shtetas ka qenë organizatori i disa rasteve të dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet MENA, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt përfitimeve monetare, që varionin nga 350 euro deri në 1500 euro për person. Nga hetimet e kryera është dokumentuar se shtetasi N. M. është organizator i rasteve të dhënies ndihmë emigrantëve të paligjshëm për kalim të paligjshëm të kufirit, që janë goditur gjatë operacioneve policore “Road Guard 32”, “Road Guard 33”, “Road Guard 35” dhe “Road Guard 36”, si rezultat i të cilëve janë arrestuar shtetasit B. T.; K. H.; Ç. H; E. T.; S. V., si dhe shtetasit pakistanez M. A.; A. M. dhe J. A.Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet, 5 aparate celulare, 870 euro dhe 10 000 lekë.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.

Pogradec/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor të koduar “Perimetri 191”.Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt shpërblimit.Nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar automjetin me të cilin po transportonte 5 emigrantë të paligjshëm, arrestohet në flagrancë 20-vjeçari. Vihet në pranga dhe bashkëpunëtori i tij.Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve K. G., 20 vjeç dhe I. B., 21 vjeç, banues në Laprakë, Tiranë.Shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar në vendin e quajtur “Lumi i Tërhanit”, Pogradec, automjetin tip “Volksëagen”, me drejtues shtetasin K. G. dhe pasagjer shtetasin I. B., me të cilin kishin dyshime se po transportonin emigrantë të paligjshëm.Pas shenjës për ndalim nga punonjësit e Policisë, drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të mjetit dhe kanë bërë të mundur ndalimin e tij në afërsi të fshatit Memëlisht. Nga kontrolli i ushtruar në automjet u gjetën 5 emigrantë të paligjshëm, të cilëve shtetasi K. G. dhe shtetasi I. B. iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt shpërblimit.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Durrës/Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, si dhe vijojnë punën për kapjen e shtetasit B. Ç., 29 vjeç, pasi kallëzon një shtetase se 29-vjeçari e ka kanosur dhe e ka marrë forcërisht në një automjet të transportit publik dhe se më pas ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të. Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, edhe për verifikimin e vërtetësisë së kallëzimit të kësaj shtetaseje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen A. N., 27 vjeçe, banuese në Fier, pasi dyshohet se ka kanosur nëpërmjet telefonit, shtetasen N. B., 64 vjeçe (vjehrra e 27-vjeçares).

Tiranë/Informacion paraprak-Më datë 08.09.2022, në rrugën “Mikel Maruli”, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i katërt i banesës së tij, shtetasi A. A., 35 vjeç, i cili si pasojë ka ndërruar jetë.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 71 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 13 janë arrestuar, 45 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 1 shtetas të ndaluar dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 11 raste, me 1 shtetas të ndaluar, 2 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijon puna nga ana e strukturave të Policisë dhe me 9 të tjerë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të shpallur në kërkim.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 5 raste, me 2 shtetas të arrestuar dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të ndaluar.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 8 raste, prej tyre 4 raste janë me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e tokës/pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 8 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 7 raste, me 3 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 13 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar gjithashtu:

-1 rast i veprave penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Vetëgjyqësia” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, me 3 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprave penale “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijon puna nga ana e strukturave policore, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, me 1 shtetas të arrestuar, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 rast i veprës penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë.

Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të veprave penale “Kanosja për shkak të detyrës”, me 1 shtetas të ndaluar dhe me 1 tjetër të shpallur në kërkim dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”, me 1 shtetas të ndaluar dhe me 1 tjetër të shpallur në kërkim.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 aksidente, si pasojë e të cilëve 9 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 9 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 2 shtetas të arrestuar, si dhe me 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.