Specialistët për Hetimin e Krimit të Stacionit të Policisë Plazh, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, si dhe identifikimin e vënien në pranga të autorëve të tyre, ndaluan shtetasin në kërkim E. K., 47 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, pasi dyshohet se më datë 9 qërshor të këtij viti, i ka vjedhur me dhunë varësen një shtetasi.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
—
Në Stacionin e Policisë Plazh, kallëzon shtetasja S. S., banuese në Norvegji, se ka humbur kontaktet me babain e saj, shtetasin T. S., 53 vjeç, banues gjithashtu në Norvegji. Vijojnë verifikimet nëse 53-vjeçari ka lëvizur drejt territorit të RSH, me qëllim gjetjen e tij.
Në Komisariatin e Policisë Durrës, kallëzon shtetasi B. B., se është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer më, bashkëshortja e tij, shtetasja V. B., 47 vjeçe, banuese në Durrës. Punohet për gjetjen e saj.
—
Gjatë pasdites së djeshme, në rrethana ende të paqarta, është dëmtuar me mjet prerës në këmbë, një 12-vjeçar, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin e kapjen e autorit/ëve.