Paraditen e sotme, ambientet e rinovuara të Akademisë së Sigurisë u vizituan nga brezi i parë i studentëve të arsimit të lartë policor, të diplomuar në institucionin elitë dhe të vetëm publik të formimit dhe edukimit të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Pjesëmarrës në këtë takim nostalgjik, motivues dhe vlerësues ndaj rëndësisë së Akademisë së Policisë, si institucioni gjenerues i sigurisë dhe rendit publik, ishin Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i caktuar në detyrë, Drejtues i Lartë Tonin Vocaj, Rektori i Akademisë së Sigurisë Drejtues i Lartë Ilirjan Mandro, ish-studentë të brezit të parë dhe studentë të Akademisë së Sigurisë.
Gjatë fjalës së tyre, z. Vocaj, z. Mandro dhe ish-studenti, z. Kodra, theksuan njëzëri rëndësinë dhe vlerën që ka pasur, ka dhe do të ketë, Akademia e Policisë në formimin profesional dhe njerëzor të brezave të Policisë së Shtetit. Gjithashtu, ata shprehën krenari për këtë takim midis brezash, për reformimin e Akademisë së Sigurisë dhe shndërrimin e saj në një institucion elitë të formimit dhe edukimit policor, e cila përdor kurrikulën, metodologjinë dhe praktikat më të mira të akademive homologe, në Europë dhe më gjerë.
Drejtor Vocaj, gjatë fjalës së tij, shprehu mirënjohje për ish-studentët e pranishëm, të cilët u rikthyen për ta vizituar Akademinë pas gjysmë shekulli kontribut në strukturat policore. Gjithashtu, Vocaj evidentoi reformat e ndërmarra për ristrukturimin e Akademisë së Sigurisë dhe shndërrimin e saj në një institucion të mirëfilltë europian, për edukimin dhe formimin profesional të brezave të ardhshëm të Policisë së Shtetit.
Ndërkaq, Rektori i Akademisë së Sigurisë Drejtues i Lartë Ilirjan Mandro shprehu mirënjohje dhe respekt të veçantë për plejadën e pedagogëve dhe studentëve që për 50 vjet me rradhë, e shndërruan Akademinë e Sigurisë në institucionin publik kryesor që gjeneron rend dhe siguri publike në vend. Në vijim, Mandro theksoi nderin dhe privilegjin e veçantë të të qënit në krye të Akademisë së Sigurisë, sot, kur ky institucion kontribuon në edukimin e qindra studentëve ekselentë që do të lënë gjurmën e tyre në historinë e Policisë shqiptare.
Një moment të rëndësishëm të këtij takimi përbën edhe mesazhi që veterani i Policisë së Shtetit, Sali Kodra dha për studentët e pranishëm të Policisë së Shtetit. Z. Kodra e këshilloi brezin e ri të punonjësve të Policisë që të mos mjaftohen me diplomën, por të jenë në kërkim të vazhdueshëm të dijeve dhe njohurive që do t’i aftësojnë më tej, për përmbushjen e misionit të shenjtë të Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, z. Kodra iu drejtua studentëve me mesazhin se ata duhet të udhëhiqen nga ligji, jo nga urdhri dhe se edhe kur ligjin ta kenë në anën e tyre, duhet ta kenë frikë e t’i ruhen atij.
Në vijim të takimit, ish-studentët e Akademisë u ulën në bankat e auditorëve ku ishin edukuar 50 vjet më parë, si dhe vizituan ambientet e Muzeut të Akademisë së Sigurisë.