Vihet në pranga një shtetas që ushtronte aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza.
Sekuestrohen 33 doza kokaine, vaj hashashi, një peshore elektronike dhe një aparat celular.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Berat, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kuçovë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas ushtronte këtë aktivitet kriminal në Kuçovë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Measure”.
Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi S. D., 60 vjeç, banues në lagjen “1 Maji”, Kuçovë.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit S. D. dhe kontrollit në banesën e tij, gjetën dhe sekuestruan 33 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, një sasi vaji hashashi, një peshore elektronike dhe një aparat celular.
Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi, identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme procedurale.