Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Vau i Dejës/Informacion paraprak-Më datë 23.08.2022, rreth orës 03:00, në fshatin Shelqet, Vau i Dejës, pas një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se shtetasi A.P., 37 vjeç, banues në fshatin Stajkë, Vau i Dejës, ka vrarë me armë zjarri shtetasin A. M., 51 vjeç, banues në Shkodër.Nga veprimet e shpejta dhe hetimet paraprake të kryera nga Policia, dyshohet se konflikti për motive të dobëta ka nisur në lokalin e fshatit dhe menjëherë shtetasi A.P., ka shkuar në banesë ka marrë armën e zjarrit kallashnikov dhe në momentin që shtetasi A.M. ka hipur në automjetin e tij për tu larguar shtetasi A.P. e ka qëlluar me armë zjarri.Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit dhe vijon kontrolli i zonës për kapjen e tij.
Kurbin / Informacion paraprak-Rreth orës 00:25, gjatë kohës që shtetasi B. Z. 60 vjeç, banues në fshatin Shullaz, Kurbin, ka qenë në biznesin e tij (dyqan fruta-perimesh) që ndodhet në anë të rrugës, në autostradën Laç – Lezhë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij.Për pasojë, shtetasi B. Z. ka marrë plagë në trup dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin mjekësor.Grupi hetimor vijon veprimet në vendin e ngjarjes, duke administruar çdo provë dhe vlerësuar çdo informacion, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar 3 persona, mes tyre dhe autorin e dyshuar të ngjarjes dhe po kryejnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe arrestimin e autorëve të dyshuar.Për momentin nuk bëjmë me dije identitetin e personave të shoqëruar, për shkak të vijimit të hetimeve dhe ruajtjes së sekretit hetimor.
Pogradec-Vijon operacioni policor i koduar “Basti i fundit”, për goditjen e informalitetit dhe aktivitetit të kundërligjshëm të organizimit të lojërave të fatit.Goditet një tjetër rast, vihet në pranga 1 shtetas.Sekuestrohet 1 aparat celular, i cili përdorej për vendosjen e basteve sportive.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Basti i fundit”, për goditjen e aktivitetit të paligjshëm në fushën e informalitetit dhe organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë vijuar të ushtrojnë kontrolle në ambiente të ndryshme. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. M., 26 vjeç, banues në fshatin Blacë, Pogradec.Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e marrë në përdorim nga ky shtetas, në fshatin Blacë, Pogradec, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 aparat celular që dyshohet se përdorej për vendosjen e basteve sportive. Gjithashtu nga verifikimet e mëtejshme, rezultoi se lokali në përdorim nga 26-vjeçari, ishte i paregjistruar në organet përkatëse.Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Tiranë- Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, sipas të cilit është marrë njoftim se në ambientet e pishinës së një lokali në Linzë, ishte mbytur një vajzë (shtetasja E. T.), e cila pas ndërhyrjes së Policisë, u kontatua në gjendje të rëndë dhe u transportua në spital, ju bëjmë me dije se: Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, si dhe shpallën në kërkim shtetasin Y. H., 52 vjeç, administratori i pishinës, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi në kundërshtim me rregullat e përcaktuara për sigurinë në këto ambiente, nuk ka caktuar një person përgjegjës për të asistuar në raste të tilla. Vijon puna për kapjen e 52-vjeçarit. Gjithashtu, u referuan materialet, si dhe nisën hetimet për shtetasin O. M., 32 vjeç, pasi edhe pse ka qënë i shoqëruar me shtetasen E. T., nuk ka ndërhyrë për ta ndihmuar atë.
Shkodër / Vijojnë kontrollet për goditjen e paligjshmërive në fushën e aktiviteteve tregtare të paregjistruara në organet kompetente, goditen 4 raste.Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Shkodër, operacioni policor i koduar “Illegality”.√Prodhonte dhe shiste nën emërtimet e markave të tjera, produkte ushqimore (vezë) të pakontrolluara, në pularinë e paregjistruar, vihet në pranga 55-vjeçari.Gjithashtu, procedohet në gjendje të lirë një shtetas (Inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Mjedisit, Shkodër), pasi dyshohet se, duke shpërdoruar detyrën, nuk ka evidentuar aktivitetet e paligjshme të 55-vjeçarit.√Në vijim të planit operacional, procedohen në gjendje të lirë 3 shtetas që administronin aktivitete tregtare të paregjistruara në organet kompetente.Strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Shkodër, në vijim të kontrolleve në disa subjekte tregtare, me qëllim evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Illegality”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:-V. Gj. 55 vjeç, banues në fshatin Bërdicë, Shkodër, për veprat penale “Mashtrimi me produktet ushqimore”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paregjistruar në organet tatimore”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur “Bërdicë e Sipërme”, është konstatuar aktiviteti tregtar (pulari), në pronësi të këtij shtetasi, i paregjistruar në organet tatimore. Gjithashtu, u evidentua se 55-vjeçari prodhonte dhe shiste nën emërtimet e markave të tjera, produkte ushqimore (vezë) të pakontrolluara.Në vijim, u referuan materialet për shtetasin A. B. 55 vjeç, banues në Koplik, Malësi e Madhe, me detyrë Inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Shkodër, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se ky shtetas, duke shpërdoruar detyrën, nuk ka evidentuar aktivitetet e paligjshme të 55-vjeçarit, si dhe e ka favorizuar atë duke mos ushtruar kontrolle në aktivitetin në pronësi të shtetasit V. Gj.Gjithashtu u proceduan për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paregjistruar në organet tatimore”, shtetasit:-A. D. 56 vjeçe dhe K. N. 30 vjeç, të dy banues në lagjen Ndoc Mazi, Shkodër dhe F. A. 45 vjeç, banues në lagjen “Vasil Shanto”, Shkodër, pasi këta shtetas ushtronin aktivitete përkatëse në fushën e hotelerisë, në Shkodër, të paregjistruar në organet tatimore.Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Vlorë/Informacion paraprak-Më datë 23.08.2022, rreth orës 19:40, në bulevardin “Ismail Qemali”, Vlorë, dyshohet se pas një konflikti të çastit, është dëmtuar me mjet prerës thikë, shtetasi E. K, 19 vjeç, i cili është dërguar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikim dhe kapjen e autorit si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Tiranë/Informacion paraprak-Më datë 23.08.2022, rreth orës 21:50, në rrugën “Tasim Shehu”, si pasojë e një konflikti të çastit, shtetasi A. O., 49 vjeç, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri, fqinjin e tij, shtetasin R. M., 23 vjeç.Shtetasi R. M., si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për kapjen e autorit.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 87 shtetas, konkretisht: 9 janë ndaluar, 13 janë arrestuar, 60 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste,njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 14 raste, me 2 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë dhe me 17 të tjerë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 3 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 9 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë 3 shtetas të arrestuar dhe me 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 4 raste të veprimtarisë së kundërligjshme të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të ndaluar dhe 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 11 raste, prej tyre 5 raste janë me autorë ende të paidentifikuar , ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e tokës/pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 7 raste, me 9 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 2 raste të djegies së pronave/pasurive të ndryshme, njëri prej të cilëve me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarreve.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 9 raste, me 3 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 15 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Është evidentuar gjithashtu:
-1 rast i veprave penale “Dhunimi i varreve”, “Fyerja”, “Prishja e qetësisë publike”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Dhunimi i banesës”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Mbajtja pa të drejtë e unifromës”, me 7 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprave penale “Ngacmimi seksual”, me 1 shtetas të ndaluar; “Mashtrimi me produktet ushqimore”, me 1 shtetas të arrestuar, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë, si dhe 1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, me 1 shtetas të arrestuar;
-3 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 4 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të ndaluar;
-2 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë, si dhe
-3 raste të veprave penale në fushën e mosbindjes/kundërshtimit të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të arrestuar dhe 2 të tjerë të ndaluar.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 12 aksidente, si pasojë e të cilëve 21 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 11 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 2 shtetas të arrestuar, si dhe me 9 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.