DVP Korçë – Vihet në pranga 1 shtetase dhe procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë, për vepra të ndryshme penale

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Devoll bënë arrestimin në flagrancë të shtetases D. A., 27 vjeçe, si dhe referuan materialet në Prokurori e filluan procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasen Xh. A., 23 vjeçe, banuese në Bilisht, Devoll, pasi, në orët e para të mëngjesit të sotëm, këto 2 shtetase kanë prishur qetësinë publike në qytetin e Bilishtit, duke u kthyer në shqetësim për banorët. Gjithashtu, gjatë shoqërimit për në Komisariat, ato kanë fyer dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, gjatë ushtrimit të detyrës.

Gjithashtu këto struktura, referuan materialet në Prokurori dhe filluan procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin P. P., 61 vjeç, banues në fshatin Hoçisht, Devoll, për veprat penale “Kanosja”, “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi më datë 20.08.2022, ky shtetas dyshohet se ka kanosur me fjalë fqinjen e tij, shtetasen V. P., si dhe se pranë punishtes së tij, objekt për të cilin nuk disponon lejen përkatëse, kishte djegur disa mbetje, duke shkaktuar ndotjen e ajrit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filluan procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin A. L., 27 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga punonjësit e Policisë, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një mjet prerës (thikë).

Materialet në ngarkim këtyre shtetasve i kaluan prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprime të mëtejshme.