Finalizohet episodi i 190-të i tij, vihet në pranga 1 shtetas.
Ndalohet edhe 1 tjetër shtetas i shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Perimetri 187”, finalizuar tre javë më parë.
Strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë dhe shërbimet e FRONTEX-it, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Si rezultat, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– B. M., 46 vjeç, banues në fshatin Trestenik, Devoll, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me ato të FRONTEX-it, kanë konstatuar në afërsi të fshatit Trestenik, Devoll, automjetin tip “Benz”, me të cilin kishte dyshime se transportoheshin emigrantë të paligjshëm dhe i kanë bërë me shenjë drejtuesit të tij, shtetasit B. M., të ndalonte. Ky shtetas nuk i është bindur urdhrit të shërbimeve të Policisë për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi, por më pas, falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, 46-vjeçari u kap dhe u neutralizua. Në brendësi të automjetit të tij u gjet një emigrant i paligjshëm, të cilin kundrejt shpërblimit, shtetasi B. M., dyshohet se do ta transportonte në drejtim të Greqisë.
Nga ana e Policisë po punohet për vënien para përgjegjësisë ligjore, të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
—–
Gjithashtu specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale të kryera në kuadër të operacionit “Perimetri 187”, si edhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim:
– K. Z., 23 vjeç, banues në Bilisht.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 05.08.2022, ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Ndalimi i 23-vjeçarit lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 01.08.2022, gjatë së cilës, në aksin rrugor Korçë-Maliq, ky shtetas transportonte në automjetin tip “Range Rover”, kundrejt fitimit, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, të arrestuar më parë nga Policia, 6 emigrantë të paligjshëm. Shtetasi K. Z., për të shmangur kapjen nga Policia, nuk iu bind urdhrit të punonjësve për të ndaluar. Gjatë ikjes 23-vjeçari përplasi automjetin që drejtonte dhe u largua nga vendngjarja.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.