Operacioni, i zhvilluar nga Strukturat e Hetimit në bashkëpunim me Njësinë Operacionale në DVP Lezhë.
Të shoqëruar e të ruajtur nga një automjet tjetër, vihen në pranga 3 shtetas që lëviznin me 11 kg kanabis çokollatë në automjetin e tyre.
Sekuestrohen 84 pako kanabis e përpunuar si çokollatë me peshë totale 11 kilogramë, 2 automjete dhe 5 aparate celulare.
Strukturat e Hetimit në bashkëpunim me Njësinë e Operacionale në DVP Lezhë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se disa shtetas po lëviznin në Lezhë, me 2 automjete, ku brenda njërit prej tyre kishte lëndë narkotike të përpunuar si çokollatë të cilën donin ta shisnin, ndërsa te automjeti tjetër ishin shtetas që shoqëronin dhe ruanin automjetin me lëndën narkotike, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Processed drugs”.
Gjatë këtij operacioni, në dalje të qytetit të Lezhës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetet e dyshuara, në lëvizje, për të cilat kanë ndërhyrë dhe i kanë ndaluar menjëherë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e drejtuar nga shtetasi I. H., në pjesën e bagazhit, është gjetur një çantë, brenda së cilës kishte 84 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e përpunuar si çokollatë, të cilat pas peshimit rezultuan rreth 11 kilogramë. Ndërsa në automjetin tjetër, nuk është konstatuar asnjë send i kundërligjshëm, por vetëm 2 shtetas që shoqëronin dhe ruanin automjetin ku ndodhej lënda narkotike.
Në përfundim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë të 3 shtetasit, konkretisht:
-I. H.,50 vjeç, banues në Tiranë, drejtues i automjetit ku ishte lënda narkotike, dhe M. D., 52 vjeç e P. Rr., 40 vjeç, të dy banues në Shkodër, shtetasit që lëviznin me automjetin shoqërues.
Në cilësinë e proves materiale u sekuestruan 84 pako lëndë e dyshuar narkotike në formë çokollate me peshë totale rreth 11 kilogramë, 2 automjete dhe 5 aparate celulare.
Vijon puna hetimore nga ana e strukturave të Policisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Për këtë vit, ky rast është rasti i dytë i goditjes nga Policia e Lezhës, i veprimtarisë kriminale të shpërndarjes dhe tregtimit të lëndëve narkotike të përpunuar në formë çokollate. Në muajin korrik, u sekuestruan 15 pako kanabis në formë çokollate, me peshë totale rreth 3.1 kilogramë.