Tiranë – Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, për veprat penale “Ngacmimi seksual” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”

Ngacmoi seksualisht dhe dhunoi një shtetase, kapet dhe vihet në pranga nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3., 39-vjeçari, i dënuar më parë për vrasje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas marrjes së njoftimit se në sheshin “Skënderbej”, një shtetas kishte ngacmuar seksualisht një shtetase dhe e kishte goditur atë me grushte, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij.

Brenda pak minutave, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, është bërë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. M., 39 vjeç, për veprat penale “Ngacmimi seksual” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore ka rezultuar se ky shtetas, më datë 11.07.2022, në sheshin “Skënderbej”, ka goditur me grushte shtetasin A. D. dhe më pas i ka marrë me dhunë aparatin celular.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.