Shkodër/Për një sezon turistik sa më të sigurtë!

Policia e Shkodrës, e angazhuar maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë periudhës së sezonit veror.
DVP Shkodër dhe Komisariatet e Policisë në varësi kanë shtuar shërbimet e Policisë së Rendit, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimet e Qarkullimit Rrugor, grupe të FNSH Shkodër, shërbime të Policisë Kriminale, Policisë Kufitare, si dhe sherbime të tjera të specializuara, në mbështetje të shërbimeve të Stacionit të Policisë Velipojë, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, menaxhimin e trafikut rrugor dhe mbajtjen nën kontroll të kriminalitetit, për t’u siguruar pushuesve një sezon turistik sa më të sigurtë dhe të mbarë.
Me punonjësit e Policisë, të angazhuar gjatë sezonit veror 2022, u bë instruktazhi, gjatë të cilit u përcollën porositë, për të gjithë punonjësit e Policisë të angazhuar, ndër të cilat u theksua:
٠Angazhimi, gatishmëria dhe shërbimi i Policisë për qytetarët, 24/7;
٠ Komunikimin me etikë qytetare e kërkesë llogarie bazuar në ligj, për shkelësit;
٠Reagim sa më të shpejtë e profesional ndaj çdo kërkese për ndihmë nga pushuesit, si dhe ndaj çdo rasti paligjshmërie;
٠ Bashkëpunim dhe mbështetje të bizneseve që operojnë në të gjithë territorin e DVP Shkodër;
٠ Kujdes specifik të tregohet në trajtimin, orientimin dhe dhënien e ndihmës shtetasve të huaj pushues në territorin tonë, duke iu mundësuar komunikimin në gjuhën që kuptojnë dhe shpjegimin e ligjit shqiptar që ata duhet të zbatojnë, për sa kohë qëndrojnë apo pushojnë në territorin e RSH-së;
٠Bashkëpunimi me strukturat e tjera vendore të jetë eficent dhe i pandërprerë;
٠ Në lidhje me lokalet që zhvillojnë aktivitet me muzikë në ambiente të hapura, të respektojnë oraret bazuar në aktin normativ në fuqi, si dhe
٠Bashkëpunim sa më të ngushtë me të gjithë aktorët dhe faktorët që kanë detyrime institucionale për garantimin e sezonit turistik.
Risi në këtë sezon është edhe monitorimi me makinën inteligjente dhe dron, i çdo aksi në juridiksionin e DVP Shkodër, me qëllim evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, që janë burim për aksidente, si dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që kryejnë këto shkelje.
Policia e Shkodrës uron pushuesit, pushime të mbara dhe i fton ata që të telefonojnë në numrin 112 apo të dërgojnë mesazhe në Komisariatin Dixhital, për çdo problematikë që trajton Policia.