Durrës/Për një sezon turistik sa më të sigurtë!
Policia e Durrësit, e angazhuar maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë periudhës së sezonit veror.
DVP Durrës dhe Komisariatet e Policisë në varësi kanë shtuar shërbimet e Policisë së Rendit, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimet e Qarkullimit Rrugor, shërbime të Policisë Kriminale dhe shërbime të tjera të specializuara, në mbështetje të shërbimeve të Stacionit të Policisë Plazh, si dhe të Policisë Kufitare në Port Durrës, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, menaxhimin e trafikut rrugor dhe mbajtjen nën kontroll të kriminalitetit, për t’u siguruar pushuesve një sezon turistik sa më të sigurtë dhe të mbarë.
DVP Durrës ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë në plazhet e Shkëmbit të Kavajës, Plazh, Gjiri i Lalëzit dhe përgjatë gjithë vijës bregdetare, si dhe për të qenë pranë çdo pushuesi që mund të hasë problematika, përsa i përket detyrave funksionale që kanë shërbimet e Policisë.
Për zbatimin efektiv dhe sa më gjithëpërfshirës të masave të ndërmarra në kuadër të sezonit turistik, shërbimet e Policisë së Durrësit vijojnë bashkëpunimin intensiv me shërbimet e DVP Tiranë, Fier dhe DVP e DVKM Vlorë, me qëllim mbarëvajtjen e sezonit turistik, si dhe mbrojtjen e jetës dhe pasurisë së pushuesve.
Objektivat e Policisë, gjatë këtij sezoni turistik, janë parandalimi i ngjarjeve kriminale, reagimi i shpejtë dhe profesional, paraqitja dinjitoze dhe shërbimi me etikë dhe profesionalizëm i punonjësve të Policisë, për pushuesit vendas dhe të huaj.
DVP Durrës iu uron pushuesve, pushime sa më të mbara, dhe i fton ata që për çdo problematikë që mund të hasin, të telefonojë në numrin pa pagesë 112 apo në Komisariatin Dixhital, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm dhe profesional.
DVP Durrës pranë jush, për një sezon turistik të qetë dhe të sigurtë.