Vijojnë operacionet, në bashkëpunim me homologët dhe me Interpol Tiranën, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Double”, i zhvilluar nga Fast Albania, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe DVP-të Tiranë dhe Fier.
Vihen në pranga me qëllim ekstradimin drejt Sllovakisë dhe Kosovës, 2 shtetas të kërkuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Fast Albania, në bashkëpunim me homologët, Interpol Tiranën dhe DVP-të Tiranë dhe Fier, gjatë 12 orëve të fundit, është zhvilluar një tjetër operacion policor i koduar “Double”, në kuadër të të cilit u kapën shtetasit në kërkim ndërkombëtar:
-R. D., 46 vjeç, lindur në Sllovaki, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Pezinok/Sllovaki, me vendimin e vitit 2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Sllovakisë. Ky shtetas u kap në Plug, Lushnjë;
-G. S., 32 vjeç, banues në Kosovë, pasi autoritetet kosovare kanë lëshuar urdhër arresti në ngarkim të këtij shtetasi, për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Kosovës. Ky shtetas u kap në rrugën “Reshit Petrela”, Tiranë.
Fast Albania është duke bashkëpunuar ngushtësisht me homologët e saj ne Europë, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.