Qarku Korçë – Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen penalisht në gjendje të lirë 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim A. O., 27 vjeç, banues në fshatin Psar, Kolonjë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 14.04.2022, e ka dënuar me 2 muaj burg, për veprën penale “Mosdhënia e mjeteve për jetesë”. Veprimet e mëtejshme procedurale u kryen nga Komisariati i Policisë Kolonjë.

Në vijim të informacionit paraprak datë 28.06.2022, që bën fjalë për një konflikt të ndodhur në fshatin Bregas, Maliq, ju informojmë se:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit G. M., 32 vjeç, banues në fshatin Bregas, Maliq, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga veprimet hetimore rezulton se ky shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta, në ambientet e brendshme të një lokali, ka goditur me thikë shtetasin B. P., 39 vjeç, si dhe ka dëmtuar fizikisht shtetasin I. Z., 65 vjeç, banues në fshatin Bregas, Maliq, të cilët ndodhen në spitalin e Korçës, aktualisht jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin V. H., 53 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë administrator i një firme prodhimi, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi dje, në fabrikën e tij, në fshatin Memëlisht, Pogradec, gjatë punës, ka dëmtuar gishtat e dorës punonjësi, shtetasi E. Xh., 25 vjeç, banues në fshatin Hudënisht, Pogradec, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin P. M., 63 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi u konstatua duke kryer punime pa leje, në lagjen nr. 5.

Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprime të mëtejshme.