Tiranë – Finalizohet faza e dytë e operacionit policor të koduar “50 Dollars”

Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë.

Operacioni, në vijim të operacionit të koduar “50 Dollars”, i zhvilluar rreth 2 muaj më parë, gjatë të cilit u vunë në pranga 3 shtetas që hidhnin në treg kartëmonedha të dyshuara të falsifikuara.

Vihet në pranga organizatori i dyshuar i kësaj veprimtarie kriminale.

Sekuestrohen sasi të konsiderueshme të kartëmonedhave të prerjes 50 dollarë, të dyshuara të falsifikuara, dhe një automjet.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë, në vijim të operacionit të koduar “50 Dollars”, i zhvilluar në muajin prill, për goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të monedhave, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses fazën e dytë të operacionit policor të koduar “50 Dollars”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasit:

– L. D., 46 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”, kryer në bashkëpunim, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas është organizatori i një grupi personash që ka hedhur në qarkullim nëpër subjekte të ndryshme tregtare, në Tiranë dhe në qytetin e Korçës, kartëmonedha të dyshuara të falsifikuara.

Gjatë operacionit “50 Dollars”, i zhvilluar rreth 2 muaj më parë, janë arrestuar 3 persona, pjesë e grupit që ushtronte këtë veprimtari kriminale.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit L. D. i është gjetur një sasi e konsiderueshme kartëmonedhash të prerjes 50 dollarë, të dyshuara të falsifikuara, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin që ai përdorte.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.