Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Durrës arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, shtetasin F. D., 59 vjeç, banues në Gjermani, pasi në PKK Port Durrës, në automjetin që drejtonte, kishte marrë pasagjer shtetasin F. D., 25 vjeç, banues në Kosovë, i cili kishte dokumente identifikimi bullgare, të dyshuara të falsifikuara.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Durrës arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, shtetasin F. D., 25 vjeç, banues në Kosovë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare, në PKK Port Durrës, duke tentuar të kalojë kufirin me dokumente të falsifikuara.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin R. K., 32 vjeç, pasi ka furnizuar automjetin me karburat, në një pikë karburanti, dhe është larguar pa bërë pagesën. Pas ndalimit nga Policia rezultoi se 32-vjeçari drejtonte automjetin, në gjëndje të dehur.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasen E. S., 38 vjeçe, banues në Tiranë, pasi është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin Xh. R., 26 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.