Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë ekzekutimin e vendimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për ndalimin e shtetasit në kërkim G. M., 22 vjeç, banues në Pogradec.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendimin e datës 29.04.2022, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; “Prishja e qetësisë publike”. Ndalimi i shtetasit G. M., lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 25.04.2022, në qytetin e Pogradecit, ku 22-vjeçari në bashkëpunim me shtetasin F. B., (i shpallur në kërkim) tentuan të vrisnin me armë zjarri tip pistoletë shtetasin J. M., 22 vjeç, banues në Pogradec.
—
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. K., 21 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Vjedhja”. Shtetasi i mësipërm, dyshohet se ka vjedhur një sasi pijesh të llojeve të ndryshme, në lokalin e shtetasit I. P., në lagjen nr. 8, Korçë.
—
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit P. V., 53 vjeç dhe S. V., 56 vjeç, banues në fshatin Potkozhan, Pogradec, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.
Shtetasit e mësipërm, ditën e djeshme, në fshatin Potkozhan, gjatë një konflikti për motive të dobëta me njëri-tjetrin, janë goditur me grushte dhe sende të forta, në pjesë të ndryshme të trupit.
Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec dhe Korçë, për veprime të mëtejshme.