Mallakastër – Finalizohet operacioni policor “Last play”

Finalizohet operacioni policor “Last play”, për goditjen e aktivitetit të paligjshëm në fushën e organizimit të lojërave të palejuara të fatit dhe informalitetit.

Goditen 3 raste të kësaj veprimtarie, procedohen penalisht 4 shtetas.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në vijim të punës për goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe informalitetit, kanë vijuar të ushtrojnë kontrolle në ambiente të ndryshme në Mallakastër. Si rezultat, gjatë operacionit policor të koduar “Last play”, janë evidentuar dhe goditur 3 raste të organizimit të lotarive të palejuara, në ambientet e lokaleve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit:

D. H., 19 vjeç, K. M., 39 vjeç, K. Z., 26 vjeç dhe E. L., 23 vjeç, të katërt banues në Ballsh, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në 3 lokalet në administrim të tyre, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 aparate celulare, të cilët dyshohet se shërbenin për vendosjen e basteve sportive.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.